Studimet part-time, degët pa limit në Universitetin e Tiranës
Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës ka bërë gati propozimet e reja për studimet me kohë të pjesshme. Burime nga ky universitet bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se në studimet part-time pranimet do të jenë pa limit vetëm në disa degë të Fakultetit Ekonomik dhe te Biologjia. Kreu i Universitetit të Tiranës bën të ditur se për vitin e ri akademik, degë pa limit janë përcaktuar vetëm për sistemin part-time. “Fakulteti Ekonomik do të ketë disa degë pa limit, Biologjia do të jetë pa limit, po kështu edhe disa degë të ndryshme në fakultetet e tjera. Kemi bërë propozime për pranime dhe në sistemin part-time në mënyrë që t’u krijojmë mundësi dhe hapësira të gjithë të rinjve që kanë dëshirë të shkollohen”, - shprehet Dhori Kule. Aktualisht, të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë bërë gati propozimet e reja për sistemin part-time, të cilat, pas rishikimit në Rektorat, janë dërguar për miratim në Ministrinë e Arsimit.
Juridiku
Por, duke qenë se për vitin e ri akademik janë miratuar më shumë kuota pranimi për çdo fakultet për studimet me kohë të plotë, pritet që për sistemin me kohë të pjesshme të mos ketë një numër të lartë kuotash pranimi. Kështu, Fakulteti Juridik në Tiranë ka propozuar 400 kuota për studimet part-time për vitin akademik 2008-2009, ndërsa një vit më parë ky fakultet ofroi 600 të tilla. Pas përfundimit të maratonës së Maturës Shtetërore nis një tjetër për ata të rinj që duan të ndjekin studimet e larta. Studimet part-time mbeten shansi i dytë i maturantëve për të hyrë në fakultet. Rektori Kule shprehet se, pasi të ketë mbaruar sistemimi i studentëve në studimet me kohë të plotë, do të dalë udhëzimi dhe miratimi i kuotave për sistemin part-time nga Ministria e Arsimit. Rektori i UT-së sqaron se sistemi part-time ka një specifikë, kuotat nuk miratohen nga qeveria, por miratohen nga Ministria e Arsimit.
Kandidatët
Kandidatët e Maturës 2008 do të kenë më shumë shanse për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme këtë vit. Kështu, kandidatët që nuk do mundin të fitojnë një të drejtë studimi në sistemin me kohë të plotë, do të kenë një shans të dytë për të vazhduar shkollën e lartë. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se kandidatëve të Maturës Shtetërore 2008 do t’u jepet më shumë prioritet për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku studimet part-time frekuentoheshin më së shumti nga kandidatët, që nuk kishin mundur të fitonin një të drejtë studimi, nuk donin të ndiqnin sistemin e ditës, apo donin të vazhdonin një shkollë të dytë, për vitin e ri akademik 2008-2009, përzgjedhja e studentëve për part-time do të bazohet në rezultatet e provimeve të Maturës 2008. Për të evituar problemin e vitit të kaluar, ku fakultetet dorëzuan në MASH propozimet e vjetra për part-time, kjo Ministri sqaron se fakultetet duhet t’i sjellin propozimet për këto studime sipas sistemit të Bolonjës.
Bolonja
Pikërisht përshtatja e studimeve me kohë të pjesshme me sistemin e Bolonjës ka bërë që të ndryshojë edhe mënyra e organizmit të këtyre studimeve. Përshtatja me sistemin e Bolonjës nënkupton që edhe në sistemin part-time kreditet janë të nevojshme, ndërkohë që frekuentimi duhet të realizohet në masën 100 për qind. Gjithashtu, këtë vit, në sistemim e studimeve me kohë të pjesshme do të hiqet kufizimi për t’i ndjekur orët e mësimit vetëm gjatë fundjavës si më parë, ku çdo student i këtij sistemi duhet të ndiqte orët e mësimit çdo të shtunë dhe të diel. Sipas MASH-it, këto çështje teknike për mënyrën se si do të ndiqen studimet duhet t’i përcaktojnë vetë fakultetet. Do të jenë pikërisht këto të fundit që do të përcaktojnë një grafik të qartë me lëndët që mund të ndiqen në ditët përkatëse të javës. Një vit më parë mospërshtatja e studimeve part-time me sistemin e Bolonjës bëri që të mos hapeshin këto studime. Për këtë, MASH-i sqaron se nëse do të ketë ndonjë fakultet që do të dorëzojë kuotat e vjetra, këto kuota nuk do të miratohen, pasi nuk përputhen me sistemin e Bolonjës.
Shqyrtimi
Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH), si organ këshillimor i Ministrisë së Arsimit dhe i Këshillit të Ministrave, për hartimin dhe zhvillimin e strategjive dhe të programeve kombëtare për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, do të shqyrtojë programet dhe kuotat e part-time këtë vit. Ky këshill (KALSH) është krijuar me VKM Nr.28, datë 24.1.2007, “Për përbërjen e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës”. Ai përbëhet nga personalitete të shquara të fushave të ndryshme dhe është organ këshillimor i ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe Këshillit të Ministrave për politikat themelore për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Do të jenë pikërisht specialistët e KALSH-it ata që do të shqyrtojnë programet dhe kuotat e studimeve me kohë të pjesshme, për t’i përshtatur me Bolonjën. Sipas KALSH-it, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) duhet të rishikojnë, ripaketojnë dhe të paraqesin në MASH kurrikulën dhe planin mësimor me mësim të rregullt në auditore, të programeve të studimit të formës part-time, disa herë në javë dhe të kenë kredite të përcaktuara për mësimin në klasë. Duhet të barazohet 100 për qind e kurrikulës së part-time me atë me kohë të plotë dhe të vihet kriteri i krediteve dhe orëve në javë. Programet e studimit të part-time janë të njëjta me ato të formës së studimit me kohë të plotë, prandaj ato do të kenë të njëjtin numër kreditesh dhe ndryshimi është se do të ketë zgjatje të viteve derisa të arrijnë kreditet e nevojshme për përfundimin e këtyre programeve të studimit. Të tregohet qartësisht nga IAL sa orë kryhen në javë për çdo program dhe sa kredite fitohen, si dhe numrin e krediteve të përcaktuara brenda tre vjetëve të zgjatjes normale të programit. Kështu, hiqet kufizimi i numrit të viteve që kryhen studimeve part-time. Studenti të ketë plan individual dhe kjo i krijon mundësi atij të zgjedhë lëndët dhe kreditet që dëshiron. Plotësimi i këtyre kushteve, sjell sipas KALSH-it, detyrimin e njësimit të diplomave të të dyja formave të studimit, që duhet të jenë të njëjta.
Përbërja e KALSH-it
Në detyrë funksionale
Genc Pollo Kryetar
Ylli Popa Anëtar
Shezai Rrokaj Anëtar
Sherefedin Shehu Anëtar
Ekspertë të fushës së arsimit të lartë
Artan Fuga Anëtar
Anila Godo Anëtar
Aleksandër Xhuvani Anëtar
Bardhyl Musaj Anëtar
Evan Roco Anëtar
Lindita Lati Anëtar
Llukan Puka Anëtar
Marenglen Gjonaj Anëtar
Myqerem Tafaj Anëtar
Petraq Petro Anëtar
Romeo Gurakuqi Anëtar
Spiro Qirko Anëtar
Thoma Korini Anëtar
Ylli Pango Anëtar
Xhezair Zaganjori Anëtar
Elemente të programeve të studimeve
Sipas ligjit për arsimin e lartë, organizimi i studimeve në institucionet e arsimit të lartë duhet të përmbajë disa programe, të cilat duhet të jenë të pajisura me të gjitha elementet përkatëse. Programet e studimeve të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë, si dhe ato specializuese ose të formimit të vazhduar, duhet të përmbajnë elementet e mëposhtme:
Të dhëna të përgjithshme për programin, formën dhe objektivat kryesore, planin e tij mësimor, shoqëruar me kreditet e detyrueshme të studimeve
Klasifikimin e programit të studimit, që bëhet i zbatueshëm me krijimin e kuadrit shtetëror të kualifikimeve.
Kushtet e pranimeve në programin e studimeve dhe kriteret seleksionuese në rastet e pranimeve me numër të kufizuar.
Metodat e vlerësimit të studentëve dhe kushtet për përparim në program.
Kushtet për transferime ndërmjet programeve dhe kushtet për përfundimin e pjesshëm të programit, nëse ai e parashikon këtë gjë Titujt profesionalë, që akordohen sipas ligjit etj.
1 Shtator 2008