E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, mijëra hektarë tokë në qytete janë pa regjistrim fillestar



Laureta Rryçi

Problemi kryesor i pronësisë rezulton të jetë mungesa e regjistrimit fillestar në zonat urbane për mijëra pasuri të paluajtshme. Ky fakt është pranuar dje publikisht nga kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Arben Qirjako. Sipas këtij të fundit, për të zgjidhur këtë problem ZQRPP-ja po punon me Bankën Botërore nëpërmjet projektit “LAMP” për të kryer regjistrimin fillestar të rreth 500 mijë pasurive të paluajtshme.
Aktualisht mësohet se janë në proces regjistrimi fillestar rreth 10 mijë pasuri të paluajtshme në qytetin e Tiranës dhe brenda shtatorit synohet që me anë të një prokurimi ndërkombëtar, i cili është në proces e sipër, të fillojë regjistrimi fillestar për 120 mijë pasuri të paluajtshme në qytetet kryesore të vendit.
Regjistri
Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i është vënë si objektiv krijimi i një regjistri unik të pasurive të paluajtshme dhe për të realizuar këtë është amenduar ligji i regjistrimit të pasurive duke i dhënë mundësi ZQRPP-së të fshijë të gjitha regjistrimet e paligjshme që krijojnë mbivendosje të pronave. Numri i kërkesave për fshirje në të gjithë vendin është 287, nga të cilat 88 kërkesa kanë mbërritur pranë Zyrës Qendrore. Nga këto, për 65 kërkesa është dalë me vendim nga ana e kryeregjistruesit, ndërsa janë në proces shqyrtimi dhe shumë shpejt do të dilet me vendim për 23 kërkesa të tilla.
Ndryshimet
Përgjatë punës tetëmujore drejtuesit e Zyrës së Regjistrimit të pasurive kanë vënë re nevojën për ndërhyrje për përmirësimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe për të mbushur këto hapësira janë bërë propozimet e nevojshme ligjore, të cilat kanë konkluduar në zgjidhje konkrete. ZQRPP-ja ka hartuar projekt-VKM-në për zbatimin e nenit 24, pika “b” të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, që ka të bëjë me prona të regjistruara në mënyrë të ligjshme, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen. Ky projekt i është paraqitur Ministrisë së Drejtësisë dhe prej kohësh është miratuar nga Këshilli i Ministrave, duke e zhbllokuar përcaktimin e sipërfaqes për këto pasuri. Është hartuar rregullorja e punës së zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë për të bërë kodifikimin e saj përfundimtar. Kjo rregullore përmban të gjithë korpusin e akteve ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe do të shërbejë si dokument bazë për punonjësit e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Gjithashtu, përgjatë këtyre tetë muajve, kryeregjistruesi ka nxjerrë një sërë urdhrash që janë në kompetencë të tij dhe që konsistojnë në normimin e punës brenda zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Box

Dixhitalizimi i arkivit për pronat
ZQRPP-ja, në bashkëpunim me Bankën Botërore, nëpërmjet projektit “LAMP” po avancojnë ndjeshëm në realizimin e planeve të modernizimit të sistemit, ku përfshihen kompjuterizimi i sistemit dhe përmirësimi dhe dixhitalizimi i të dhënave. Zyra e Regjistrimit është në procesin e dizenjimit, zhvillimit dhe zbatimit të sistemit të kompjuterizuar të pasurive të paluajtshme. Përsa i përket përmirësimit të të dhënave dhe dixhitalizimit të tyre, ky proces ka përfunduar në dy zona pilot në Tiranë dhe së shpejti do të fillojë procesi masiv për të realizuar këtë objektiv. ZRPP-ja ka pasur në qendër të vëmendjes dhe dixitalizimin e Arkivës të dokumenteve ligjore të ZVRPP-së Tiranë dhe Durrës, në kuadër të projektit “LAMP”.

Box

Trajnimi i stafit
Një ndër objektivat kryesorë të Zyrës së Regjistrimit është edhe rritja e kapaciteteve profesionale të stafit. Për të realizuar këtë është ngritur qendra e trajnimit brenda zyrës qendrore dhe janë kryer një sërë trajnimesh. Këto trajnime kryesisht janë fokusuar në ngritjen e kapaciteteve të stafit në lidhje me ndryshimet e fundit ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me aplikimin e taksës së sheshtë, vendimin e Këshillit të Ministrave për nenin 24, pika “b” për pronat me sipërfaqe të papërcaktuar, zbatimin korrekt të VKM-së për fshirjen e pasurive që krijojnë mbivendosje dhe një sërë drejtimesh të tjera që kanë të bëjnë me punën e tyre të përditshme. Gjithashtu janë përcaktuar drejtimet mbi të cilat stafi do të kualifikohet në të ardhmen dhe për të realizuar këtë nëpërmjet projektit “LAMP” janë kontraktuar edhe konsulentët ndërkombëtarë që do të realizojnë trajnimet.

Shërbimi, sistemi që reduktoi kohën e pritjes

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është zyrë shërbimi ndaj qytetarëve dhe duket se objektivi i drejtuesve ka qenë pikërisht përmirësimi i ofrimit të shërbimit. Për realizmin e këtij objektivi është standardizuar përfundimisht aplikimi elektronik në dhjetë ZVRPP-të e qyteteve më të mëdha të vendit. Kjo ka çuar në eliminimin e plotë të radhëve dhe konkretisht një aplikim nga një qytetar në këto zyra zgjat vetëm 15 minuta. Kohëzgjatja e përpunimit të një praktike deri në dhënien e një përgjigjeje ndaj qytetarit është shkurtuar ndjeshëm dhe tashmë zgjat nga 24 orë për shërbimin më të thjeshtë deri në 30 ditë për shërbimin më të ndërlikuar. Prioritet i është dhënë biznesit dhe veçanërisht marrëdhënieve me bankat, të cilat tani arrijnë të marrin një shërbim nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme brenda 24 orëve. Përmirësimi i shërbimit në këtë drejtim është shoqëruar me rritjen e aftësive përpunuese të sistemit. Kjo tregohet edhe nga shifra e aplikimeve të përpunuar në këto shtatë muaj nga të gjitha zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që shkon në afro 330 mijë aplikime që kanë marrë përgjigje nga ana e Zyrave, ndërkohë që deri në fund të muajit gusht ky numër pritet të arrijë në afro 380 mijë. Natyrshëm që numrin më të madh të këtyre përgjigjeve e ka Tirana me rreth 80 mijë të tilla dhe më pas, Durrësi, Vlora dhe qytete të tjera. Shifrat tregojnë se sistemi tashmë ka aftësi të mëdha të përpunimit të praktikave dhe vetëm në Tiranë mund të flasim për rreth 400 të tilla në ditë. Punonjësit në një ditë përpunojnë mesatarisht 7.9 aplikime.

Hipoteka në shifra

330 mijë
aplikime kanë marrë përgjigje nga ana e zyrave deri në fund të muajit korrik

287
është numri i kërkesave për fshirje në të gjithë vendin

88 kërkesa
për fshirje kanë mbërritur pranë Zyrës Qendrore

65 kërkesa
kanë marrë përgjigje zyrtare nga kryeregjistruesi nëse do të fshihen

10 mijë
pasuri të paluajtshme janë në proces regjistrimi fillestar në Tiranë

120
mijë pasuri të paluajtshme në qytetet kryesore janë për regjistrim fillestar

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›