E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi: Nxënësit te privati konsumojnë marijuanë

Sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik, 17 për qind e të rinjve kanë pranuar se e konsumojnë marijuanën në ambientet e shkollës. Sipas specialistëve, këto shifra, në vitet në vijim pritet të rritet. 

TIRANE-  Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, konsumatorët më të mëdhenj janë të rinjtë në shkollat e mesme dhe kryesisht ata që janë në shkolla private. "Numri i të rinjve që përdorin marijuanë është më i lartë në shkollat private. 17% e të rinjve e konsumojnë marijuanën në ambientet e shkollës", - thuhet në studimin e ISHP-së. Studimi i ISHP-së tregon se fenomeni i përdorimit të drogës, pirjes së duhanit dhe konsumit të alkoolit ka pësuar rritje, sidomos në moshat e reja. Sipas anketave të këtij studimi, 54 për qind e të rinjve kanë deklaruar se kanë provuar të pinë duhan.
Duhanpirja në vendin tonë llogaritet të jetë në nivele më të larta se në vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që shqetësues është numri në rritje i të rinjve që pinë duhan. Duhanpirja në vend, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, vlerësohet në masën 39%, kundrejt 28.6 % në vendet e Bashkimit Europian. Ky fenomen është më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat, përkatësisht 60 %, kundrejt 18%. Bazuar në të dhënat e studimeve që ISHP-ja ka kryer me nxënësit e klasave të shtata dhe të teta të shkollave 9- vjeçare dhe me ata të shkollave të mesme (viti i parë dhe i dytë), rezulton se rreth 16 për qind e nxënësve janë përdorues duhani, ndërsa 16.7 % e atyre që nuk kanë pirë duhan, mendojnë ta fillojnë në vitin pasardhës. Përdorimi i drogës, por edhe i duhanit dhe alkoolit, ka filluar që të jetë më i ndjeshëm në moshat e vogla. Kjo gjë duket qartë edhe në studimin e ISHP-së, ku konsumimi i tyre fillon që në klasën e tetë ose të nëntë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›