E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperaturat, 150 fëmijë në Pediatri, gjatë fundjavës

Shtohet numri i fëmijëve që i drejtohet Pediatrisë nga temperaturat e larta. Shënohen raste të shumta me helmime nga ushqimet e papastra. 

TIRANE- Një dyndje të madhe të fëmijëve të vegjël, kryesisht nga mosha 0 në 5 vjeç janë vërejtur këtë fundjavë në dyert e Pediatrisë në QSUT.

Kanë qenë gati 150 fëmijë që janë vizituar nga mjekët pediatër. Pjesa më e madhe e fëmijëve të vizituar ditën e djeshme kanë shfaqur simptomat e para të virozave gripale, ku sipas mjekëve, kanë qenë të shoqëruara me bark, diarre, të vjella dhe temperaturë, si dhe ka pasur disa raste me shqetësime në aparatin e frymëmarrjes. Mjekët kanë shpjeguar se në spital janë shtruar vetëm një numër i vogël fëmijësh të cilët kanë pasur më shumë komplikacione, pasi pjesa tjetër është rikthyer në shtëpi, nën kujdesin e prindërve.

Ndër të tjera, specialistët kanë shpjeguar se ka pasur dhe disa raste me helmime, gati 12 fëmijë, si pasojë e ushqimeve të cilat nuk janë mbajtur në kushte të mira higjieno-sanitare. Por, drejt dyerve të urgjencës së Tiranës ka pasur vizita të shumta edhe nga pacientë të moshave të treta, të cilët kanë pasur probleme hipertensioni duke u shkaktuar rritje të tensionit nga vapa dhe duke shtuar rrahjet e zemrës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›