Studimi i Bashkisë, harta e çmimeve të pronave në Tiranë
Laureta Rryçi
Studimi më i fundit i Bashkisë së Tiranës bën publike çmimet që kanë arritur pronat gjatë vitit 2008. Specialistët e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë biznesmenëve të huaj apo shqiptarë, kanë grumbulluar informacione të detajuara duke treguar koston reale që të ofron kryeqyteti në momentin që do të vendosin për investim. Në studim janë përcaktuar çmimet sipas zonave të kryeqytetit, ambientet që jepen me qira si në momentin kur duan të marrin një shtëpi, ashtu edhe kur ambienti u duhet për zyra. Sipas studimit, të huajt kanë të drejtë të blejnë pasuri private dhe tokë jobujqësore për të zhvilluar aktivitet ekonomik, kurse toka shtetërore jobujqësore mund t’u shitet vetëm atëherë kur investimi i planifikuar është 1.5 herë më i madh se çmimi i tokës. Të huajt nuk kanë të drejtë të blejnë tokë bujqësore, por kanë të drejtë ta marrin atë me qira për 99 vjet. Personat fizikë dhe juridikë privatë shqiptarë kanë të drejtë të blejnë e të shesin lirisht troje ndërmjet tyre pa asnjë kufizim.
Harta e çmimeve
Çmimi i tokës është i larmishëm. Ky çmim varet nëse toka ka apo jo kontakt me rrugën, është zonë industriale apo jo etj. Drejtoria e Promovimit të Qytetit në Tiranë ka pasqyruar çmimet e tokës pranë qendrës së qytetit, në periferi të tij dhe në komunat fqinje. Çmimi i parcelave të tokës për ndërtim banese dhe zyra në qendër të qytetit varion nga 1200 deri në 3000 euro/m2 dhe në periferi të Tiranës nga 500 deri në 1500 euro/m2.
Segmenti i autostradës që lidh Tiranën me qytetin e Vorës, i cili ndodhet në mes të rrugës për në Durrës, preferohet shumë për pozicionimin e bizneseve të reja. Çmimi i tokës në këtë hapësirë varion nga 120-250 euro/m2, ndërsa çmimi i tokës brenda kufijve të Vorës varion nga 80-120 euro/m2. Çmimi i tokës private në komunat fqinje të Tiranës, si Selita, Dajti, Yzberishti dhe Farka varion nga 80-250 euro/m2.
Taksat
Detyrimi për taksën mbi pasurinë e paluajtshme është vjetor dhe ndahet në dy këste të barabarta. Kësti i parë për kategorinë “Ndërtesa banimi” paguhet brenda datës 30 prill dhe kësti i dytë brenda datës 30 shtator. Për kategorinë “Ndërtesa të tjera” kësti i parë paguhet brenda datës 20 prill dhe kësti i dytë brenda datës 30 qershor. Taksa mbi tokën bujqësore është detyrim
vjetor dhe ndahet në dy këste të barabarta, ku kësti i parë paguhet brenda datës 31 mars të vitit dhe kësti i dytë brenda datës 30 shtator të vitit. Toka bujqësore është klasifikuar në 10
kategori, për të lehtësuar në këtë mënyrë përcaktimin e nivelit të taksës.
Hotele dhe apartamente në Tiranë
Në Tiranë operojnë shumë agjenci imobiliare, të cilat mund t’ju ndihmojnë për të marrë me qira apo për të blerë ndonjë banesë. Tabela tregon çmimet mesatare për blerjen apo marrjen me qira të apartamenteve në qendër dhe në rrethinat e Tiranës. Të gjitha transaksionet mbi pasuritë e paluajtshme që nga 1 janari 2008 do të tatohen me 10% të diferencës midis çmimit të blerjes me atë të shitjes. Shoqëritë e ndërtimit nga ky ligj në momentin e shitjes përjashtohen.
18 Qershor 2008