E Hënë, 2 Nëntor 2026

Subvencionet nxisin interesin, 450 blegtorë nga qarku Shkodër aplikojnë në skemat mbështetëse

Përfshirja këtë vit e një mase të re në skemat mbështetëse të qeverisë për blegtorët që rrisin viça për majmëri, ka shtuar numrin e aplikuesve nga qarku i Shkodrës. Sipas specialistëve të fushës, kjo masë pritet të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së mishit vendas dhe në uljen e importit nga jashtë.

“Kjo bëhet për të nxitur interesin e fermerëve që ti mbarështojnë kafshët duke pasur parasysh që produktet janë shumë më cilësore se ato që importohen”, u shpreh Mark Reçi, specialist i Shërbimit Veterinar Shkodër.

Një nga kriteret kryesore për të përfituar nga skemat mbështetëse është numri i krerëve që zotëron ferma, çka ka nxitur edhe më shumë fermerët të rrisin kapacitetin e tyre prodhues, shpeshherë edhe përmes grupimeve.

“Shumë ferma sidomos në zonën e Bushatit, sot ka ferma të cilat kanë mbi 200 krerë lopë”, tha ai.

Për vitin 2025, nga qarku i Shkodrës kanë aplikuar rreth 450 blegtorë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre kanë synuar përfitimin nga skema shtese për gjedhin e matrikulluar.

Gazetar: A.Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›