E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedia, merr sot presidencën e BE-së

Duke filluar nga sot Suedia merr kryesimin e presidencës së radhës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, duke pasuar Republikën Çeke.
Lufta kundër krizës ekonomiko-financiare, hapja e vendeve të punës dhe problemet me ndryshimet e klimës, janë tre prioritetet që vendi skandinav ka programuar të ndjekë gjatë drejtimit të politikës evropiane deri në fund të dhjetorit. Por vëmendja do të fokusohet edhe te kriza politike që Evropa po përjeton aktualisht me çështjen e ratifikimit të Traktatit të Lisbonës që ende nuk është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare.
Të shumta janë edhe çështje të tjera jo më pak të rëndësishme që Suedia duhet të përballje, siç është organizimi i Parlamentit të sapozgjedhur, organizimi i Komisionit që i mbaron afati në tetor dhe emërimi i presidentit të tij, duke mos harruar referendumin e dytë irlandez për Traktatin e Lisbonës që pritet të zhvillohet në vjeshtë.
Në planet e suedezëve bën pjesë edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, zhbllokimi i negociatave me Kroacinë, që aktualisht janë bllokuar nga vetoja e Sllovenisë për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare ndërmjet dy vendeve, si dhe progresi i integrimit të Turqisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›