E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë,kthehen në punë 307 policë serbë

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka , ka bërë të ditur se 307 policë serbë të Kosovës janë kthyer në vendet e tyre të punës, pak orë para se të përfundojë afati i fundit i dhënë nga autoritetet e Prishtinës, ndërsa 18 prej tyre kanë vendosur që të mos kthehen në shërbim. "Afatit për kthim në vendet e punës i janë përgjigjur 307 policë të komunitetit serb, ndërsa 18 nga ta kanë refuzuar thirrjen", tha zëdhënësi Beka.
Afati për kthimin e policëve serbë në vendet e punës ka përfunduar dje, në orën 16:00. Më shumë se 300 pjesëtarë të policisë së nacionalitetit serb kanë lëshuar vendet e tyre të punës menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Misioni EULEX ka mirëpritur kthimin e policëve të nacionalitetit serb, të cilët kanë qenë të pezulluar prej shkurtit të kaluar.
EULEX e ka përshkruar këtë gjë si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një shërbimi policor shumetnik, "i cili punon për të mirën dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke e përfshirë edhe komunitetin serb".
Gjithashtu siç theksohet në një komunikatë për media EULEX-i e çmon profesionalizmin e atyre policëve të nacionalitetit serb, të cilët qëndruan në vendet e tyre të punës, si dhe gatishmërinë e tyre për ta ruajtur rendin dhe qetësinë publike në rajonet e tyre përkundër presioneve politike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›