Suedia ul moshën penale, 14-vjeçarët para ligjit, vendimi pritet të ndikojë edhe në zgjedhje

Suedia ka ulur nga 15 në 14 vjeç moshën e përgjegjësisë penale për veprat e rënda, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Vendimi u miratua në parlament me 281 vota pro dhe 66 kundër, ndërsa në favor të tij votuan edhe disa deputetë të opozitës socialdemokrate.
Qeveria e djathtë e ka luftën kundër krimit një nga prioritetet kryesore që prej ardhjes në pushtet në vitin 2022.
Fillimisht, qeveria kishte propozuar uljen e moshës deri në 13 vjeç, por e tërhoqi nismën pasi nuk siguroi mbështetjen e nevojshme. Më pas, një grup ekspertësh rekomandoi moshën 14 vjeç për rastet e krimeve të rënda.
Por ndryshimi është kundërshtuar nga shumë institucione dhe organizata, përfshirë policinë dhe administratën suedeze të burgjeve. Nga 126 institucione dhe organizata të konsultuara, një pjesë e madhe u shprehën kundër masës së re.
Ndryshimet prekin edhe dënimet për të miturit, pasi lehtësimi i tyre është kufizuar dhe për disa vepra dënimi mund të arrijë deri në 18 vjet burg.
Ligji do të hyjë në fuqi më 10 shtator, vetëm tri ditë para zgjedhjeve parlamentare të 13 shtatorit. Ndërkohë, sondazhet tregojnë një garë të ngushtë, me opozitën në 50,6 për qind dhe bllokun qeverisës, së bashku me të djathtën ekstreme, në 46,9 për qind.
/rtsh.al/