Suela Konjari: I qendroj deklaratës sime për ata që votuan kundër Berishës
Drejtoresha e teatrit Metropol, që është nën varësinë e Lulzim Bashës, Suela Konjari, ka thënë se i qendron deklaratës së saj pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Konjari shkruajti në faqen zyrtare të teatrit menjëherë pas zgjedhjeve, Zoti i faltë shqiptarët që votuan kundër Berishës.
Duke folur në një intervistë për GSH, ajo thotë se nuk mund ti fshehë bindjet e veta politike, ndërsa pohon se Basha nuk e ka përdorur teatrin e Metropolit për politikë, siç, sipas saj, ka vepruar Rama kur ishte kryebashkiak.
Unë thoja një të vërtetë duke e treguar me fakte konkrete, që në periudhën e zgjedhjeve të 2011 në Metropol janë bërë prova teknike për votuesit. Është kthyer salla e Metropolit në qendër votimi, me kuti votimi, me militantë të PS-së që bënin prova dhe unë këto i kam treguar në status, ku u them në 2011, kur bashkinë e drejtonte kryeministri i zgjedhur, në Metropol, në një institucion artistik është bërë veprimtari politike. Me bindje ju them, mund ta verifikoni se, që nga periudha që Bashkinë e Tiranës e drejton z.Basha dhe unë jam në krye të Metropolit, aty nuk është kryer asnjë veprimtari politike, qoftë e PD-së, PS-së, PR-së, apo e të gjitha të tjerave. Është bërë thjesht dhe vetëm art dhe asnjë artist që hyn në Metropol nuk vjen për tu paraqitur me bindjet e tij politike.
Gjithsesi, unë e them dhe do ta them gjithmonë, jam me bindje të djathta politike, por jam një artiste me 23 vjet karrierë në skenë, ndonëse shumëkush mund të thotë kush je?, kam parë fyerje të cilat nuk më kanë prekur në komentet që kanë bërë për atë statusin tim, sepse më janë dukur njerëz mjeranë, që kanë mbushur orët e tyre boshe me mendimet e mia..., shprehet Konjari, e cila është vendosur në krye të teatrit Metropol pas ardhjes së Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës.
Deklarata e saj pas zgjedhjeve të 23 qershorit bëri bujë, për shkak se përdorej një institucion dhe për më tepër që përfaqëson artin, i dili presupozohet të jetë i depolitizuar./b.l