Konferenca për territorin, Rama: Jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, duhet ndryshim rrënjësor
Kryeministri Edi Rama ka hapur sot konferencën Shqipëria e gjeneratës së tjetër, ku është shprehur se gjendja e territorit në Shqipëri është emergjente. Rama ka thënë se qeveria e re do ta trajtojë gjendjen si të jashtëzakonshme.
Ne sot jemi në kushtet e një emergjence kombëtare. Ne jemi të vendosur që gjendjen ta trajtojmë si një gjendje të jashtëzakonshme, dhe ta trajtojmë me të gjitha mjetet e gjendjes së jashtëzakonshme- tha Rama në hapje të konferencës.
Kemi konstatuar që modeli i ndjekur në të gjithë këto vite ka shterruar, duke hapur plagë të mëdha në territorin e vendit, në jetën sociale dhe ekonominë e vendit.
Sfidat tona janë të shumta, por në fokusin e këtij debati do të jetë territori dhe ekonomia.
Ne besojmë që deri më sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kaotik, pafuqie për të implememtuar edhe çka ka mundur të planifikojë, apo çka ka mundur të ligjërojë.
Nga sot ne hyjmë në një rrugë tjetër, në rrugën e asaj alternative që ne kemi propozuar dhe jemi votuar masivisht nga shqiptarët. Për një ndryshim, që për nga nevoja e brendshme, është e krahasuar vetëm me ndryshimin e vitit 1992, ka thënë Rama gjatë fjalës së tij.
Më shumë se 50 arkitektë dhe urbanistë të njohur nga e gjithë bota janë thirrur nga PS në konferencën ndërkombëtare Shqipëria e gjeneratës së tjetër, e cila mbahet sot dhe nesër./b.l