Suksesi i HEC-eve ne prokurori

Në pesë vitet e mandatit të saj qeveria ka dhënë 90 kontrata koncesionare, në të cilat parashikohej ndërtimi i mbi 220 hidrocentraleve të vogla dhe të mesme.
Por më shumë se kilovat/orë energji ky process deri tani ka prodhuar dosje pafund hetimore. Koncesionet e HEC-eve janë shndërruar në një nga aktivitetet më të përfolura për korrupsion.
Zyrtarisht, prokuroria po heton disa dosje njëherësh për shkelje të ligjit me lejet e koncesioneve, të cilat implikojnë kryesisht ish-ministrin Genc Ruli, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Ajo e pellgut ujëmbledhës të Bëncës është më e fundit. Por në publik opozita ka denoncuar të tjerë tendera hidrocentralesh, ku janë favorizuar, ministra, deputetë apo biznese të lidhura me ta.
Ky proces, që tashmë duket i njollosur, ngjan gjithmonë e më shumë me një aksion të dështuar, të paktën këtë tregojnë faktet.
Sipas afateve ligjore, deri tani nga 220 hidrocentrale të dhëna duhet të ishin ndërtuar të paktën të paktën gjysma e tyre. Por deri tani, sipas të dhënave zyrtare të vetë Ministrisë së Ekonomisë, janë ndërtuar vetëm 6.