E Diel, 1 Nëntor 2026

Suksesi i zgjedhjeve në veri varet nga pjesëmarrja e serbëve

Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga OSBE-ja të organizojë zgjedhjet e lira lokale në veri të vendit, që pritet të mbahen në pjesën e dytë të vjeshtës së këtij viti. Njohësit e proceseve zgjedhore, konsiderojnë se suksesi i këtyre zgjedhjeve varet kryekëput nga bindja e serbëve për pjesëmarrje në zgjedhje, që rezulton me pranimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Pjesë e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, është edhe organizimi i zgjedhjeve në veri të vendit. Kryeministri Hashim Thaçi, ditë më parë vlerësoi se zbatimi i plotë i marrëveshjes përfshinë edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të vendit:

“OSBE-ja me ftesën tonë që do të përgatisë organizimin e zgjedhjeve të lira lokale në veri, që do të mbahen në pjesën e dytë të vjeshtës së këtij viti. Janë zgjedhjet e para të lira që do të organizohen në atë pjesë të Kosovës në këto 14 vite, sipas legjislacionit kosovar, dhe ne ndamë opinionet e njëjta se implementimi është jetik për marrëveshjes, dhe do të ketë reflektime pozitive për gjithë rajonin”, ka theksuar ai.

Por suksesi i tyre varet nga vullneti i serbëve lokal për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se krejt kjo varet nga gatishmëria e Beogradit për të ndikuar në pjesën veriore të Kosovës në implementimin marrëveshjes.

“Nëse Beogradi është i interesuar që ta stabilizojë atë pjesë, dhe ta integrojë në sistemin politik dhe kushtetues të Kosovës, mendoj se këto zgjedhje do të realizoheshin shumë shpejtë. Pra krejtësisht varët nga vullneti i Beogradit në implementimin e marrëveshjes e cila është arritur dhe nëse do të kemi një qasje tjetër nga ana e Beogradit, mendoj se për zgjedhje të lira dhe të drejta as që mund të flitet në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Selmanaj për Radio Kosovën.

Kurse Albert Krasniqi nga instituti KIPRED, për Radio Kosovën ka theksuar se teknikisht është lehtë të organizohen zgjedhjet në veri, por së pari duhet të normalizohet gjendja atje para se të mbahen zgjedhjet lokale.

“Nuk mund të marrin hapin e dytë, pa e plotësuar hapin e parë, kështu që mendoj se duhet që parakushtet siç janë normalizimi i gjendjes dhe jetës atje të plotësohen, para se të flasim për zgjedhje atje dhe zgjedhjen e përfaqësuesve të institucione në veri”, ka deklaruar ai.

Pika e 11 e marrëveshjes Kosovë-Serbi parasheh që zgjedhjet lokale në veri të zhvillohen me lehtësimin e OSBE-së dhe në përputhje me ligjet e Kosovës./rtk/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›