Mospërkthimi adekuat i ligjeve, po vështirëson zbatimin

Respektimi i përdorimit të gjuhëve zyrtare në Kosovë vazhdon të jetë sfide për institucionet vendore. Mospërkthimi i ligjeve në kohën e duhur në variantet e gjuhëve zyrtare, veçanërisht në gjuhën serbe, shpeshherë shkakton probleme në interpretime të ndryshëm të normave juridike, vlerësojnë zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Zbatimi i plotë i kornizës ligjore që garanton përdorimin e barabartë të gjuhëve zyrtare në procesin e hartimit të akteve legjislative në Kosovë është sfidues. Komisioneri i Zyrës për gjuhë në qeveri të Kosovës, Sllavisha Mlladenoviq vlerëson se përkthimet e ligjeve në gjuhen serbe, në kuvend sillen në fazën finale dhe kjo sipas tij krijon konfuzion në mënyrën e interpretimit të ligjeve.
“Shumë herë kemi probleme që dy variante të ligjeve që do të duhej të ishin identike, nuk janë, gjë që krijojnë mundësi për interpretime të ndryshme të ligjeve të njëjta. Variantet në gjuhën shqipe dhe serbe janë të barasvlershme dhe kjo shkakton huti në proceset gjyqësore dhe në zbatimin e ligjit”, ka thënë ai për Radio Kosovën.
Një gjë të tillë e pohon edhe anëtari i Komisionit për Legjislacion, në Kuvendin e Kosovës, Behar Selimi, i cili thotë mungon profesionalizmi në përkthimet e gjuhëve tjera zyrtare. Madje sipas tij nga mosperkthimi adekuat i ligjeve, po vështirësohet edhe zbatimi i tyre.
“Përkthimi është një nga fajet edhe rë interpretimeve të ndryshme sepse nga përkthimi po dalin norma me kuptime të ndryshme dhe të shumta”, ka theksuar Selimi.
Kosova që nga viti 2006 ka të miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas nenit 5 të këtij ligji të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, nxirren dhe publikohen në gjuhët zyrtare. Versionet në gjuhët zyrtare janë të barasvlershme./Indeksonline/