Sula: Perspektivat morale në hapjen e dosjeve të Ish-Sigurimit, kujtesë dhe drejtësi tranzicionale

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Në Fakultetin e Historisë u mbajt konferenca “Autoritarizmi krahasues dhe kujtesa në Europën Lindore dhe më gjerë” me diskutime mbi historinë, ideologjinë dhe politikat e kujtesës.
Në të mori pjesë edhe kryetarja e Autoritetit Dr. Gentiana Sula me punimin e saj, “Perspektivat Morale për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit: Formësimi i Kujtesës Kolektive dhe Drejtësisë Tranzicionale”. Dr. Sula analizoi se si identitetet e ndryshme – ish-të përndjekur politikë, ish-anëtarë të Sigurimit, besimtarë, jo-besimtarë, shqiptarë me aspirata evropiane dhe grupmosha të ndryshme (fëmijë 5–15 vjeç, adoleshentë 16–18 vjeç, të rinj 19–35 vjeç) – formësojne qasjet morale dhe etike ndaj dosjeve të Sigurimit. Duke u mbështetur në kuadrin teorik të Aleida Assmann, Tony Judt dhe Juan Linz, si dhe në përvojën e saj si studiuese e lirisë akademike nën komunizëm, Dr. Sula eksploroi tensionet etike mes transparencës dhe privatësisë, pajtimit dhe drejtësisë, si dhe të vërtetës, desinformimit ideologjiko-politik te historiografise komuniste dhe revizionizmit. Ajo krahasoi përvojën e Shqipërisë me Gjermaninë dhe Poloninë, duke nxjerrë mësime për rolin e AIDSSH në ndërtimin e një identiteti demokratik. Në konferencë merrnin pjesë studiues dhe akademike nga Portugalia, Italia, te Shqipëria, Rumania, Greqia dhe Ukraina, të cilët trajtuan mënyrat se si regjimet autoritare kanë ndërtuar narrativat zyrtare. Me fokusin tek roli i arkivave, fotografisë, edukimit, ideologjisë, indoktrinimit dhe kontrollit të hapësirës në hulumtimin e historive te së shkuarës. /j.p/ 1 nga 3