E Martë, 3 Nëntor 2026

Profesoresha amerikane në Universitetin Perëndimor të Uashingtonit viziton Autoritetin e Dosjeve

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit mirëpriti sot në një vizitë, profesoreshën amerikane Cynthia Horne, eksperte e njohur në fushën e drejtësisë tranzitore dhe pedagoge në Universitetin Perëndimor të Uashingtonit (Western Washington University), SHBA.

Profesorja Horne u prit nga anëtarët drejtuesi i Autoritetit, Altin Hoxha dhe anëtari Albert Nikolla, si dhe nga stafi i institucionit.

Gjatë takimit, ajo mori përgjigje të detajuara për të gjitha pyetjet e saj në lidhje me funksionimin e Autoritetit, proceset e digjitalizimit, administrimin e fondeve arkivore dhe misionin gjithnjë e më të gjerë të ndërgjegjësimit shoqëror dhe ndërkombëtar të institucionit.

“Jam thellësisht e impresionuar nga mikpritja dhe profesionalizmi i stafit të Autoritetit,” deklaroi Horne. “Gjeta një institucion që jo vetëm menaxhon me kujdes dokumentet e së kaluarës, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ndërtimin e kujtesës kolektive dhe forcimin e transparencës publike”, tha ajo.

Gjatë vizitës, akademikja pa nga afër fondet arkivore dhe standardet e përparuara të menaxhimit dhe organizimit të tyre. Profesorja Horne theksoi rëndësinë që ka puna e Autoritetit në kontekstin e drejtësisë tranzitore dhe edukimit qytetar.

Në përfundim të vizitës, profesorja Horne shprehu synimin për të përfshirë përvojën shqiptare në enciklopedinë ndërkombëtare të drejtësisë tranzitore, me qëllim që akademikët dhe studiuesit nga vende të ndryshme të kenë akses në informacionin dhe përvojën unike që ofron Shqipëria në këtë fushë. /j.p/

Nga vizita e profesoreshës amerikane Cynthia Horne në institucionin e Autoritetit të Dosjeve 1 nga 4

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›