Sulltan Novruzi, Berisha: Sot është dita e triumfit të vlerave të demokracisë në Shqipëri Kryeministri Berisha dhe znj. Liri Berisha gjatë vizitës në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha uroi sot të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e Festës së Sulltan Novruzit. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kryeministri Berisha zhvilloi në mesditë një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku u takua me kreun e kësaj selie Haxhi Dede Reshat Bardhi. “Sot është dita e triumfit të vlerave të demokracisë në Shqipëri. Sot është 22 marsi, dita në të cilën populli më i shtypur i Evropës, dhe ndër 2-3 popujt më të shtypur të botës, me votën e lirë u nda në mënyrë të qytetëruar nga diktatura më e egër dhe regjimi më barbar që ata kishin përjetuar në tërë historinë e tyre”, u shpreh Berisha. Sipas tij, 22 marsi është një apel për të gjithë shqiptarët që të konsolidojnë vlerat që ngadhënjyen në 22 mars të vitit 1992; vlera mbi të cilat ky vend në 18 vite ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër në historinë e tij; vlera të cilat kanë bërë që shqiptarët të kenë të sigurt të ardhmen e ndritur që ata meritojnë.