Sulm i ri vetëvrasës në Kabul

Nga një sulm vetëvrasës me bombë afër selisë së NATO-s në Kabul të Afganistanit janë vrarë së paku gjashtë civilë dhe janë plagosur katër persona të tjerë, ka njoftuar policia.
Shefi i policisë në Kabul, Ajob Salangji, tha se shpërthimi ka ndodhur afër selisë së NATO-s, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe misioneve të tjera diplomatike.
Sulmi ndodhi derisa zyrtarë qeveritarë dhe personalitete të tjera ishin tubuar në Kabul, për ta shënuar 11 vjetorin e vrasjes së komandantit anti-taleban, Ahmad Shah Masoud.