Sulm izraelit në Gaza, 155 të vdekur

Izraeli ka nisur ofensivën me raketa, në Rripin e Gazës. Një sëri raketash ajrore kanë goditur Gazën, qytetin më të rëndësishëm të territorit palestinez që kontrollohet nga Hamasi. Raketat izraelite kanë shkatërruar kazerma të ndryshme të policisë, duke provokuar qindra të vdekur dhe të plagosur. Burime mjekësore nga Gaza kanë njoftuar një bilanc shumë të rëndë. Sipas tyre, bëhet fjalë për të paktën 155 të vrarë dhe më shumë se 200 të plagosur, por numri i viktimave mund të rritet nga casti në cast. Këto sulme kanë bërë që kjo të jetë dita më e përgjakshme në Gaza që prej më shumë se 20 vjetësh. Nga sulmet ka mbetur i vrarë edhe shefi i policisë së Hamasit, Taufik Xhaber. Presidenti palestinez Mahmud Abas e ka cilësuar si kriminale fushatën e sulmeve ajrore të Izraelit dhe i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë. Por ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak deklaroi se vendi i tij është përgatitur që ta vazhdojë ofensivën. Televizioni satelitor Al Xhazira ka shfaqur pamjet e dhjetëra milicëve palestinezë të shtrirë në terren. I njëjti rrjet televiziv flet për dhjetëra 'martirë', sic i quan viktimat, si dhe shumë të tjerë të plagosur. Në pamjet e transmetuara nga televizioni arab dhe ai palestinez Ramtan, shihen njerëz të veshur me të zeza në terren dhe ambulanca që përpiqen t'iu vijnë në ndihmë të plagosurve. Korrespondentët e mediave të ndryshme ndërkombëtare, tregojnë për një situatë tronditëse, e shkaktuar nga raketa që godasin në sintoni dhe në koherencë me njëra-tjetrën territorin e Rripit të Gazës. Ndërkohë që në jug të Izraelit është deklaruar gjendja e jashtëzakonshme dhe gatishmëri e plotë, për bombardimet intensive me raketa nga ana e grupeve të armatosura palestineze. Teksa një izraelit është vrarë nga sulmet me raketa të palestinezëve, që vijnë si kundërpërgjigjje. Hamasi dhe fraksione të tjera të brendshme kanë urdhëruar luftëtarët e tyre që të hakmerren. Autoritetet izraelite iu kanë bërë thirrje popullsisë që të mos dalin nëpër rrugë dhe që të qëndrojnë në zona të mbrojtura osë pranë vendstrehimeve. Menjëherë pas sulmit, Irani ka lajmëruar se do të dërgojë anijen e parë të ndihmave në Rripin e Gazës, pavarësisht bllokadës detare nga ana e Izraelit. Izraeli patrullon ujërat bregdetare përreth Gazës dhe akuzon Iranin, i cili refuzon të njohë ekzistencën e Izraelit, se furnizon me armë Hamasin. Ndërsa Irani e përgënjeshtron një gjë të tillë, duke thënë se ofron vetëm mbështetje morale për Hamasin. Prej ditësh, autoritetet e shtetit hebre, kishin paralajmëruar për synimin e goditjes së Rripit të Gazës, pas hedhjes së përsëritur të raketave nga ana e Hamasit në territorin izraelit. Kryeministri i vendit Ehud Olmert kishte paralajmëruar Hamasin, i cili mori kontrollin e enklavës bregdetare në qershor të 2007-ës, që të ndalonte sulmet me raketa. "Unë nuk do të hezitoj të godas hamasin dhe Xhihadin", kishte deklaruar Olmert për televizionin Al Arabia.