Sulm në veri të Kosovës, shpërthim në zyrat e Postës në Zveçan

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur pas mesnate në zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani ka shpjeguar se rasti ka ndodhur rreth orës 00:30, duke shkaktuar dëme materiale.
“Persona të lënduar nuk ka. Janë shkaktuar dëme materiale, thyerje xhamash por nuk ka të lënduar”, ka thënë ai.
Sipas tij, njësitet përkatëse të policisë kanë dalë në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetimet për rastin.
Veriu i Kosovës është përballuar me një sërë sulmesh ku më tragjiku është ai ai shtatorit 2023, kur mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku prej grupeve të armatosura serbe që kishin hyrë në territorin e Kosovës. Ndërsa sulmi tjetër ishte ai ndaj kanalit Ibër Lepencit më 29nëntor 2024 në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ku pati dëme të konsiderueshme.
/rtsh.al/