E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmet kibernetike, Meta: Qeveria të bëjë transparente masat e marra për forcimin e sistemit

Kreu i Parisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se me nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve për patronazhistët e bëri më të pambrojtur sistemin. Duke folur për sulmet e fundit kibernetike dhe publikimin e të dhënave sensistive, Meta u shpreh se qeveria duhet të bëjë transparencë për masat që ka marrë për forcimin e sistemit.

“Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të mbrojtur sistemin dhe për të rivendosur besimin e qytetarëve. Nuk mund të mos nënvizoj që në fillim se kryehakeryesi i këtij sistemi është Edi Rama, sepse kjo u provua botërisht nga dalja e të dhënave personale të gati 1 mln qytetarëve para zgjedhjeve dhe përdorimi i tyre nga patronazhistët vetëm për qëllimet të shantazhit elektorale. Ishte Rama që mbështeti gjithë këtë proces kriminal që e shfrytëzoi për të përmbysur vullnetin e popullit shqiptar në zgjedhjet e 21 prillit. U hakërruan pagat, në dhjetor dolën edhe numrat e qytetarëve, targat  e makinave, më pas u hakerua e-albania dhe të dhënat u nxorën nga hakërruesit në shitje, u godit sistemi TIMS, që është çudi e jashtëzakonshme. U godit edhe a-aleati. U godit sistemi i policisë së shtetit, sa i takon gjobave. U llokua sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe nuk lëshohen vërtetime gjyqësore. Janë hakeruar serverat e kamerave të policisë së shtetit”, tha Meta.

Meta foli edhe për kërkesën e kryeministrit Rama për të lidhur shërbimet e bankave me e-albania duke falenderuar këto të fundit që nuk pranuan të integronin sistemin e tyre me e-albania dhe që përballuan sulmet e hackerave.

“Rama duke e ditur këtë situatë prej kohësh, në 6 maj 2021 kërkoi tu impononte bankave kryerjen e shërbimeve përmes e-albania. Gjë që u refuzua prerë nga banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera. Të mos harrojmë se kjo kërkesë vinte pas goditjeve dhe hakërrimeve masive. Ekspertët e Microsoft theksojnë se hakerat kanë depërtuar në e-Albania që na maj 2021. Aksesi i hakerave është përforcuar në korrik 2021. Të bëhet transparencë se çfarë ka ndodhur realisht, lidhur me masat dhe planin e rivendosjes në punë dhe garantimin e sigurisë së sistemeve. Prokuroria të bëj hetim të theluar, për evidentimin e përgjegjësisë së qeverisë dhe institucioneve të tjera, veprimet dhe mosveprimet që kanë sjellë këtë situatë”, tha Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›