Konjufca në Tiranë: Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë brenda një kornize në gjykimin për Serbinë

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi midis dy parlamenteve. Gjatë vizitës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në Tiranë, i cili u prit në takim nga homologia Lindita Nikolla, u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë brenda një kornize sa i përket gjykimit për Serbinë, pasi Kosova nuk ka rrugë tjetër veçse të mbrojë interesat.
Konjufca tha se Serbia është armiqësore me Kosovës dhe se drejtimi politik i Vuçiçit nuk ndryshon me atë të Millosheviçit.
“Ne jemi dy shtete, por jemi popull me një interes të përbashkët. Edhe zyrtarët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë vazhdimisht kanë vepruar me këtë vetëdije kombëtare. Natyrisht që arritjet dhe bashkëpunimi është i thellë, por edhe sfidat janë serioze. Pas shkurtit bota është më e pasigurt. Por në të njëjtën kohë agresioni i papranueshëm mbi Ukrainën ka nxitur unitetin e botës demokratike. Serbia e Vuçiçit nuk ka ndryshuar në drejtim politik, por vetëm mjetet prej kohës së Millosheviçit. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës. Mohon pavarësisë dhe së fundmi e patë sesi presidenti nuk heziton fare edhe për ta sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosur brenda territorit të Kosovës. Ne duam që me Shqipërinë të jemi brenda një kornize sa i përket gjykimit për Serbinë. Kosova nuk ka rrugë tjetër veçse të mbrojë interesat. Ne jemi për paqe dhe dialog, por nuk do të lëshojmë pe. Por i gëzohemi edhe çdo arritje të Shqipërisë, siç është hapja e negociatave. Rrugën e kemi të njëjtë”, tha Konjufca.
Lidhur me liberalizmin e vizave në Kosovë, Konjufca shpreson që fundi i vitit do t’i gjejë shqiptarët duke lëvizur të lirë.
“Sa i përket domosdoshmërisë së njohjeve të reja dhe të gjitha iniciativave të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare dhe evropiane. Edhe po ashtu edhe lobimi juaj i pandalshëm për liberalizimin e vizave të Kosovës. Përpjekje që po japin rezultatet e para. Qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë dyshim që fundi i vitit do ti gjejë me heqjen e këtij regjimi të padrejtë”, tha ai.
/rtsh.al/