Sulmet ruse në Kiev vranë nëntë persona ndërsa Trump kritikon Zelenskyn

Sulmet ruse me raketa dhe dron gjatë natës në kryeqytetin ukrainas, Kiev, kanë vrarë të paktën nëntë persona dhe kanë plagosur më shumë se 60 të tjerë, sipas zyrtarëve lokalë.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko, thotë se nga mbetjet e droneve u shkaktuan zjarre, ndërsa ka shqetësime se shumë persona mund të jenë nën rrënoja.
Rusia sulmoi gjithashtu qytetin verilindor Kharkiv dhe dy persona u plagosën, tha kryebashkiaku lokal.
Sulmet vijnë pas akuzës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dëmtimin e negociatave të paqes.

Duke shkruar në Truth Social, Trump pretendoi se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ishte “shumë afër”, por se refuzimi i Volodymyr Zelensky për të pranuar kushtet e SHBA “nuk do të bëjë asgjë tjetër veçse të zgjasë” konfliktin.
Përpara se Rusia të niste sulmet e saj brenda natës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzoi Volodymyr Zelenskyn për dëmtim të negociatave të paqes.
Pasi presidenti ukrainas tha se Kievi nuk do të njihte kontrollin rus të Krimesë, Trump tha se kushti ishte “shumë i dëmshëm” për bisedimet e paqes.

“Askush nuk po i kërkon Zelenskyt të njohë Krimenë si territor rus, por nëse ai dëshiron Krimenë, pse ata nuk luftuan për të njëmbëdhjetë vjet më parë?” ka shkruar Trump.
Trump shtoi: “Unë nuk kam të bëj fare me Rusinë, por kam shumë të bëj me dëshirën për të shpëtuar, mesatarisht, pesë mijë ushtarë rusë dhe ukrainas në javë, të cilët po vdesin pa asnjë arsye.
“Deklarata e bërë sot nga Zelensky nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të zgjasë luftën dhe askush nuk e dëshiron këtë! Jemi shumë afër një marrëveshjeje, por njeriu që “nuk ka letra për të luajtur” tani, më në fund, duhet ta bëjë atë.”

I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse administrata po kërkonte të njihte sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë, Trump tha se ai thjesht donte të shihte fundin e luftës.
Ai gjithashtu tha në Zyrën Ovale të mërkurën në mbrëmje se e kishte më të lehtë të merrej me Rusinë se sa me Ukrainën./vizionplus.tv