E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sulmi me 26 viktima në Kashmir, India dëbon diplomatët pakistanezë dhe mbyll pikëkalimin kufitar

India ka marrë një sërë masash hakmarrëse kundër fqinjit të saj Pakistanit, pas sulmit vdekjeprurës të së martës në Kashmir, ku gjetën vdekjen 26 turistë.

India ka pezulluar traktatin e saj të ujit prej gjashtë dekadash me Pakistanin – Traktatin e Ujit Indus – i cili lejoi ndarjen e ujit midis dy vendeve.

India gjithashtu ka mbyllur kufirin e saj me Pakistanin. Kjo pritet të ndikojë jo vetëm në lëvizjen e njerëzve, por edhe të mallrave pasi është një pikë e rëndësishme tranziti tokësor.

Delhi ka anuluar gjithashtu një skemë të përjashtimit të vizave për shtetasit pakistanezë. Vizat që janë lëshuar më parë sipas kësaj skeme janë konsideruar gjithashtu të anuluara dhe shtetasve pakistanezë që aktualisht ndodhen në Indi sipas kësaj skeme u kërkohet të largohen nga vendi brenda 48 orëve.

Diplomatët ushtarakë pakistanezë në Indi janë shpallur ‘persona non grata’ dhe atyre u është kërkuar të largohen nga vendi brenda një jave. India gjithashtu do të tërheqë diplomatët e saj ushtarakë në Pakistan.

Dhe së fundi, India gjithashtu do të reduktojë stafin e saj në komisionin e saj të lartë në Pakistan dhe do të ulë numrin e diplomatëve pakistanezë në Komisionin e Lartë të Pakistanit në Indi në 30 nga 55 nga 1 maji.

Por ndërsa India mori një sërë masash hakmarrëse ndaj Pakistanit, ky i fundit ka mohuar përfshirjen në sulm.

Pakistani do të thërrasë këtë të enjte (24 prill) një takim urgjent të sigurisë kombëtare për të diskutuar një përgjigje ndaj masave të marra nga India.

Kujtojmë se më 22 prill, një sulm me armë u mori jetën 26 turistëve teksa po zhvillonin një vizitë në Kashmir.

Dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë për jetën.

Policia bëri me dije se sulmi ndodhi në livadhin Baisaran, rreth pesë kilometra nga qyteti turistik i Pahalgamit, në një zonë të diskutueshme që ka qenë shpesh një pikë atraksioni për turistët, veçanërisht ata indianë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›