E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi ndaj EULEX-it, Thaçi: Autorët të nxirren përpara drejtësisë

PRISHTINE - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dënon ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku ka humbur jetën një pjesëtar i EULEX-it.

Kryeministri theksoi se ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

“Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë edhe në pjesën veriore të vendit”, -thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi.

Kryeministri kërkoi nga organet kompetente që të ndërmarrin menjëherë të gjitha masat e domosdoshme që autorët e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kryeministri u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›