E Martë, 3 Nëntor 2026

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës/ Ambasadori amerikan në Serbi: Situata në veri, e rrezikshme. Duhet vijuar procesi politik

Ambasadori amerikan në Serbi, Kristofer Hill ka deklaruar se përshkallëzimi i dhunës në Banjskë të Zveçanit është një ngjarje tragjike.

Sipas tij, vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku duhet dënuar nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë sipas tij, duhet vijuar procesi politik.

 “Ne të gjithë duhet të dënojmë vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe gjithmonë na vjen keq për humbjen e jetës, por duhet të vazhdojmë me procesin politik”, u shpreh Hill në Beograd, transmeton agjencia Beta.

Hill ka vendosur në dukje se procesi diplomatik duhet të jetë në plan të parë në ditët dhe javët në vijim.

Hill mori pjesë të takimin e përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, diplomati amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se për çfarë është biseduar me presidentin e Serbisë.

Ndërkaq, më herët Vuçiq shkroi në Instagram se gjatë takimit me diplomatët ndërkombëtarë kishte kërkuar që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, “KFOR të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës”.

Nga ana e tyre shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, komunë në veri të vendit e banuar me shumicë serbe.

Sipas autoriteteve një grup që përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Nga ana e saj policia bëri të ditur se tre agresorë mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur. Deri më tani janë arrestuar tetë persona të tjerë.

Ditën e sotme, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar sulmin dhe ka qenë pjesë e tij, duke e shoqëruar deklaratën edhe me video nga prania e grupit serb të armatosur në manastirin e Banjskës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›