E Martë, 3 Nëntor 2026

Sulmi ndaj konsullatës së Iranit në Siri, rrezikohet përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme

Irani është zotuar të hakmerret pas bombardimit të kompleksit të ambasadës iraniane në Siri, për të cilin Teherani fajësoi Izraelin. Kjo ngjarje dhe lufta në Gazë rrit rrezikun e zgjerimit të konflikteve në Lindjen e Mesme.

Nga sulmi mbetën të vrarë 7 zyrtarë, përfshirë Mohammed Reza Zahedi, një komandant i lartë në Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe komandantin e lartë Mohammad Hadi Haji Rahimi.

Zahedi është objektivi iranian më i profilit të lartë i vrarë që kur ish-presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi vrasjen e gjeneralit të IRGC-së Qassem Soleimani në Bagdad në vitin 2020.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani paralajmëroi se Teherani “ruan të drejtën për të marrë masa reciproke dhe do të vendosë në llojin e përgjigjes dhe ndëshkimit kundër agresorit”.

Aleati paraushtarak më i fuqishëm i Iranit, Hezbollah, paralajmëroi se Izraeli do ta paguajë për sulmin.

Hezbollahu është përfshirë në konflikte të përditshme me forcat izraelite që nga fillimi i luftës në Gazë. Ushtria izraelite tha se nuk komenton raportet e huaja, por zëdhënësi i saj u shpreh për CNN se konsullata ishte një “ndërtesë ushtarake e forcave të Kudsit e maskuar si një ndërtesë civile”.

Ndërsa Izraeli ka shënjestruar prej kohësh Iranin dhe përfaqësuesit e tij në Siri, sulmi në Damask është një përshkallëzim i konfliktit për shkak të vendndodhjes dhe objektivit.

Ndërtesa e konsullatës, e cila përfshin rezidencën e ambasadorit dhe ndodhet pranë ambasadës iraniane, konsiderohet territor sovran iranian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›