Sulmi ndaj vilës së ish-diktatorit gjatë protestës së PD-së/Rama: Një grusht të verbërish duan të njollosin Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës që mbajti mbrëmjen e djeshme Partia Demokratike, si dhe ndaj sulmit të vilës 31 të ish-diktatorit Enver Hoxha që tani shërben si rezidencë arti.
Përmes një postimi në rrjetin X, Rama shkruan se ai ka vizituar sot vilën 31 dhe i ka gjetur artistët e traumatizuar.
Ai e ka cilësuar sulmin ndaj rezidencës së artit gjatë protestës së Partisë Demokratike si një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë.
“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!”, shkruan Rama.
Gjithashtu, kryeministri shkruan se gjykatësit që i lirojnë këta “zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë”.
“Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”, përfundon Rama në reagimin e tij.
Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
— Edi Rama (@ediramaal) March 1, 2026
Një sulm i verbër… pic.twitter.com/a3IEPuzqld
/rtsh.al/