Sulmi në Kandahar, Paneta ngushëllon Imamin

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, z. Leon Panetta, telefonoi sot pasdite ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami për të shprehur ngushëllimet e tij dhe të qeverisë së SHBA-së për humbjen e jetës së Kapiten Feti Voglit, gjatë një misioni të përbashkët të trupave speciale shqiptarë dhe atyre amerikanë në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak në Kandahar, Afganistan, ku mbeten të plagosur gjithashtu dhe nën tetar Aleksandër Peçi dhe një ushtarak amerikan.
"Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Voglit", u shpreh Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Panetta, duke shprehur njëkohësisht të gjithë gatishmërinë e qeverisë amerikane, për çdo ndihmë në rast nevoje.
"Gatishmëria e trupave tuaja për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për tu vlerësuar thellë", tha z. Panetta, ndërsa shtoi se SHBA dhe populli amerikan vlerëson shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar.
Nga ana e tij ministri i Mbrojtjes, Arben Imami falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e tij dhe populli i madh amerikan ka dhënë për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura.
"Jemi krenar që ushtarët tanë dhe amerikanë luftuan së bashku me kuraje dhe profesionalizëm të lartë", u shpreh Imami. Ministri i Mbrojtjes shtoi se ne jemi krenarë që ndodhemi bashkërisht në disa operacione në Afganistan.
Ministri Imami i konfirmoi z.Panetta angazhimin e palëkundshëm të qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në Afganistan përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të tjerë.