E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi në Liezh nuk ishte sulm terrorist

Zyrtarët belgë njoftojnë se nga sulmi i ndërmarrë nga një person me një granatë dore, në qendër të qytetit Liezh, kanë mbetur pesë persona të vdekur, përfshirë edhe sulmuesin. Raportohet se nga ky sulm janë plagosur edhe rreth 100 persona tjerë.

Ministria e punëve të Brendshme ka bërë të ditur se ende nuk dihen qartë motivet e sulmit, por dihet se nuk ishte një sulm terrorist.

Autoritetet belge kanë treguar se sulmuesi, Norodin Amrani, 33 vjeçar, ishte qytetar i Liezhit dhe në vitin 2008 kishte qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje, si pjesë e një bande kriminale.

Policia belge po ashtu ka bërë të ditur se në shtëpinë e sulmuesit është gjetur edhe një trup i një gruaje të vdekur.

Hetuesit thonë se trupi është gjetur gjatë kërkimit në shtëpinë e Amranit. Gruaja që është gjetur në shtëpinë e Amranit, sipas hetuesve, me siguri është vrarë nga sulmuesi, përpara se ai të shkonte në qytet.

Me një minutë heshtje Liezhi përkujtoi viktimat e këtij sulmi. Prokurorja e Liezhit, Danielle Reynders, theksoi se “autori është i njohur si për policinë ashtu dhe për gjyqësorin, pasi ai ka qenë i dënuar për posedim të armëve, drogës dhe dhunës seksuale”.

Megjithatë, për një lidhje terroriste deri tani nuk flet asgjë. Hetuesit do të bëjnë gjithçka është e mundur për të hedhur dritë mbi motivin e tij", shtoi ajo.

E paqartë mbetet se si ka qenë e mundur që ish i dënuari me pesë vjet burg për shkak të mbajtjes së armëve pa leje, i liruar nga burgu në tetor të vitit të 2010, të ketë arritur kaq shpejtë të fusë në dorë një arsenal kaq të madh të armëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›