E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti i Evropës kritikon Britaninë dhe boshtin francezo-gjerman

Në Parlamentin Evropian në Strasburg u debatuan rezultatet e samitit të fundit të Brukselit. Gjatë debatit u shkëmbyen edhe fjalë të ashpra për kundërshtimin britanik dhe rolin e këtij vendi në BE.

Debati ishte shumë aktiv dhe i nxehtë. Dy tema ishin në rend dite: Vetoja britanike dhe konkluzionet e samitit të Brukselit për zgjidhjen e krizës së euros. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, shpjegoi edhe një herë shkaqet e vështirësive në samitin e kaluar.

„Siç e dini, një vend anëtar ka kundërshtuar ndryshimet e Marrëveshjes së Lisbonës. Britania e Madhe nuk ka bërë lëshime, me shpjegimin se këto do të cenonin tregun e brendshëm të saj. Kjo pamundësoi kompromisin. Presidentët dhe kryeministrat u gjetën para dilemës: Ose të paguajnë këtë çmim, ose të vazhdojnë rrugën pa Britaninë e Madhe", tha Barroso.

Dominimi gjermano-francez në BE ishte një prej pikave që u përmend disa herë.

Eurodeputetja irlandeze, Mairead McGuinness, përshëndeti vendimet e samitit, por kishte edhe një vërejtje: „Ajo që më brengos është ndjenja se boshti gjermano-francez është boshti i BE-së. Kam frikë se kjo nuk është mirë as për Francën dhe Gjermaninë, sepse të gjitha 27 vendet anëtare duhet të jenë solidare. Kjo do të na ndihmojë të shpëtojmë euron dhe Evropën.“

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›