Sulmi në Vinnytsia, Ambasada e SHBA thirrje amerikanëve: Largohuni menjëherë nga Ukraina

Ambasada e SHBA-së në Kiev i ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të mos hyjnë në Ukrainë dhe atyre në Ukrainë që të largohen menjëherë nga aty duke përdorur opsionet private të transportit tokësor nëse është e sigurt për ta bërë këtë, raporton La Repubblicca.
“Situata e sigurisë në të gjithë Ukrainën vazhdon të jetë e dhunshme dhe e paparashikueshme për shkak të sulmeve të vazhdueshme ushtarake nga Rusia, me luftime aktive në vend dhe kushte të pasigurta sigurie”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu Ambasada bën thirrje për shmangien e mitingjeve të mëdha dhe ngjarjeve të organizuara pasi ato mund të shërbejnë si objektiva ushtarake ruse.
Këto thirrje vijnë në një kohë kur Raketat ruse goditën ndërtesat civile dhe një qendër kulturore në qytetin Vinnytsia, në Ukrainën qendrore, duke vranë të paktën 23 njerëz dhe plagosur më shumë se 100, përfshirë fëmijë ndërsa dhjetëra janë të zhdukur.
Raketat e lundrimit të lëshuara nga një anije ruse në Detin e Zi goditën një qendër mjekësore, dyqane dhe ndërtesa banimi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, akuzon Rusinë se ka drejtuar qëllimisht raketa kundër civilëve.
/rtsh.al./