Sulmi në protestë/ Berisha nga Kuvendi: Ramës do i përgjigjemi bashkërisht! Spiropali: Po gënjen edhe për rrahjen tënde

Sulmi me grusht ndaj Sali Berishës gjatë protestës së opozitës më 6 dhjetor, u bë shkak për akuza dhe kundër-akuza mes opozitës dhe maxhorancës në Kuvend këtë të hënë.
Kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, akuzoi edhe njëherë kryeministrin Edi Rama si personi që qëndron pas sulmit ndaj tij. Sipas Berishës, qëllimi i Ramës është eliminimi i opozitës, ndërsa paralajmëroi se do t’i përgjigjen me “revolucion”.
“Të gjithë kriminelët, trafikantët të mbledhës, nuk do e mposhtësh kurrë opozitën. Ju garantoj që përgjigj e tjetër për Edi Ramnën përveç asaj që thoni ju, nuk kam imagjinuar. Një përgjigje të përbashkët, solemne kundër këtij armiku. Një burracak që zgjedh një ditë të rëndësishme për shqiptarët për të kryer krimin. Unë e fala Gerti Shehun për dy arsye, e fala sepse është një mjeran që merr para, por edhe se Gerti Shehu ka këtu në parlament. Atëherë pse të rri ai në burg dhe Gertat e tjerë të rrinë këtu të kollarisur? Nuk ka moral këtu. Thuaju pak shqiptarëve çfarë lidhje ke me dorën në Çervenakë? E dini e kujt ishte sera e Beratit? Ju bëj thirrje për beteja të reja, të ngrihemi se kjo kalbësirë nuk ikën ndryshe veçse me revolucion. I deklaroj Edi Ramës se kauzën tonë ti kurrë nuk e vret dot. Hakmarrës primitiv, një popull që është sot kundër teje nuk mund ta presësh dot”, tha Berisha.
Ish-kryeministrit iu përgjigj Ministrja Elisa Spiropali, e cila, teksa shprehu keqardhje për ngjarjen, theksoi se Partia Socialiste është kundër dhunës. Akuzat e Berishës, Spiropali i konsideroi “gënjeshtra”, teksa akuzoi Berishën se e ka përdorur dhunën për të arritur qëllimet e tij.
“Ndjej keqardhje për ju, nuk do të doja dhe nuk do ta uroja kurrë atë përgjakje në fytyrën tuaj, atë skenë në ditën e ngjarjes më të rëndësishme në Shqipëri, por edhe në asnjë ditë të vitit. E keni përdorur dhunën si mjet për të arritur qëllimet tuaja. Forca ime politike dhe unë jemi kundër dhunës dhe kur ajo drejtohet drejt kundërshtarit tonë. Jemi kundër edhe kur dhuna shënon një politikan që ka qenë President, kryeministër, edhe kur ajo kthehet si monedhë ndaj atij që edhe nga kjo foltore sot ushtroi dhunë kundër të gjithëve ne. Ne besojmë se vota është ndëshkuesi në politikë, jo dhuna. Zhytu në kujtesën tënde dhe mundohu të jesh i sinqertë, të thuash të vërtetën dhe kujto se çfarë ke bërë vetë dhe do kujtosh se ke qenë shkak i plumbave të zbrazur, i varreve të hapur dhe i gjakut në fytyrën e kundërshtarëve të tu. Në vend që të bënte këtu siç i takon një analizë të gjuhës së dhunës që na çoi deri aty, të marrëdhënies politike mes nesh, bëri të njëjtën gjë, gënjeu edhe për rrahjen e tij dhe e bëri me të njëjtin ton me të cilin mbante fjalime më 21 janar kur pretendonte se në Bulevard ishin mbledhur vrasës që po qëllonin njëri-tjetrin. Përdori të njëjtin ton që përdor vazhdimisht sa herë ka një problem me të vërtetën”, tha Spiropali.
Sali Berisha u gjuajt me grusht në fytyrë nga 31-vjeçari Gert Shehu, i cili sipas policisë rezulton që të jetë një person me precedent penal për plagosje dhe trafik droge. Gjithashtu ai rezulton të ketë edhe probleme të shëndeti mendor.
/rtsh.al/