E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi palestinez me 6 të vdekur në Jerusalem, Netanyahu: Jemi në një betejë kundër terrorizmit

Gjashtë persona humbën jetën dhe të paktën 11 të tjerë u plagosën, kur dy persona të armatosur palestinezë hapën zjarr në një stacion autobusi në periferinë veriore të Jerusalemit, mëngjesin e së hënës. Policia izraelite e cilësoi ngjarjen si një “sulm terrorist”, një ndër më të përgjakshmit në qytet gjatë viteve të fundit.

Pamjet e kamerave të makinave treguan qytetarë që iknin në panik nga një autobus i ndaluar në anë të rrugës, ndërsa dëgjoheshin të shtënat. Në një tjetër video, shihej xhami i përparmë i autobusit i tejshpuar nga plumbat.

Njëra nga të plagosurat, Estel Lugasi, nga shtrati i spitalit, rrëfeu për mediat izraelite momentet e tmerrit:
“Papritur dëgjova të shtënat… Ndjeva sikur po vrapoja për një përjetësi. Mendova se do të vdisja.”

Sipas shërbimeve të emergjencës, ndër viktimat janë një burrë dhe një grua rreth të 50-tave, si dhe tre burra rreth të 30-tave. Nga të plagosurit, gjashtë janë në gjendje të rëndë me plagë nga armë zjarri.

Më vonë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, konfirmoi vdekjen e viktimës së gjashtë dhe tha se autorët vinin nga Bregu Perëndimor. Grupi Hamas përshëndeti autorët e sulmit duke i quajtur “luftëtarë të rezistencës”, por nuk mori përgjegjësinë zyrtare. Edhe organizata Islami Jihad vlerësoi sulmin.

Reagimi i kryeministrit Netanyahu në vendin e ngjarjes

Kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili shkoi në vendin e ngjarjes pak pas sulmit, deklaroi:
“Jemi në një luftë të ashpër kundër terrorizmit në disa fronte. Dua të shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave dhe të plagosurve.”

Ai konfirmoi se po zhvillohen kërkime për personat që ndihmuan autorët dhe shtoi:
“Një nga personat që vrau një nga sulmuesit ishte një ushtar ultraortodoks nga batalioni Hashmonaim.”

Sipas policisë, sulmuesit mbërritën me makinë në vendin e quajtur Ramot Junction dhe hapën zjarr ndaj qytetarëve në stacionin e autobusit. Në vendin e ngjarjes u gjetën armë, municione dhe një thikë.

Pjesë e një vale sulmesh të përgjakshme

Ushtria izraelite njoftoi se menjëherë pas ngjarjes nisi operacione në Bregun Perëndimor, përfshirë qytetin e Ramallahut, me qëllim “parandalimin e sulmeve të tjera terroriste.”

Ky incident është vetëm një ndër shumë të tjera të ngjashme që kanë ndodhur në vitet e fundit. Në tetor të vitit 2024, dy palestinezë, njëri me pistoletë dhe tjetri me thikë, vranë shtatë persona në Tel Aviv.

Ndërkohë, në nëntor të vitit 2023, tre persona u vranë në një tjetër sulm me armë zjarri në një stacion autobusi në Jerusalem, për të cilin autoritetet fajësuan Hamasin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›