Sulmi terrorist në Banjska, kërkohet burg i përjetshëm për tre të akuzuarit

PRISHTINE, 17 prill/ATSH/ Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimi gjyqësore për rastin e sulmit terrorist në Banjska të Zveçanit ndaj tre të akuzuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Në këtë seancë u dëgjuan fjalët hyrëse të prokurorit, Naim Abazi, të mbrojtjes dhe palëve të dëmtuar si të akuzuarve.
Në deklaratën e tij hyrëse, prokurori Abazi tha se provat që ata kanë në dispozicion tregojnë se sulmi i 24 shtatorit 2023 ishte i planifikuar dhe mirë i organizuar.
Ai tha synimi i këtij sulmi ishte shkatërrimi i rendit kushtetues, cenimin e integritetit territorial të Kosovës dhe krijimin e kushteve për shkëputjen e komunave veriore të Kosovës.
Mbrojtja e palëve të dëmtuara nga kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit që ishin prezentë në gjykatore sot, dhe gjykim në mungesë për 42 të tjerët që janë në arrati.
Prokuroria para gjykatës sot prezantoi video-incizime, fotografi dokumente dhe vërtetime të cilat dëshmojnë për planifikimin dhe përfshirjen e personave të akuzuar për sulmin terrorist.Ndër provat më të rëndësishme, ai përmendi edhe video dhe incizime të takimit të datës 13 tetor 2021, të mbajtur në Rashka të Serbisë, ku prezent ishin krerët shtetërorë serbë, përfshirë edhe kreun e grupit terrorist, Milan Radoiçiq.
Prokurori Abazi si prova paraqiti edhe fotografi në të cilat shihej armatim përfshirë armë automatike të gjata, snajper, mina, granata dhe mjete tjera shpërthyese.
Në dorën e prokurorisë ndodhen edhe provat elektronike radio të koduara, telefona satelitor që ishin përdorur me qëllim të planifikimit për realizimit të sulmit terrorist.
Prokurori special, Naim Abazi tha se provat dëshmojnë se grupi terrorist serb ishte mirë i organizuar dhe i ushtruar për të kryer sulmin terrorist.
Abazi tha se provë tjetër me rëndësi është edhe video-incizimi nga kamerat e vendosura nga automjetet zyrtare dhe dronët e policisë së Kosovës, ku vërtetohet sulmi me armë dhe raketahedhës.
Prokuroria ka arritur të sekuestrojë prova që do të shqyrtohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, sikurse janë hartat topografike të veriut të Kosovës, pozicione me ngjyrë në lokacionet e Banjskës.
prokurori i Specializuar, Naim Abazi para trupit gjykues ka paraqitur prova dhe dëshmi për tre të akuzuarit që sot dolën para gjykatës.
Prokuroria në fjalën hyrëse tha se i pandehuri, Blagoje Spasojeviq ishte pjesë përbërëse e strukturës së organizuar të grupit terrorist.
Prokuroria si dëshmi tjetër para trupit gjykues paraqiti edhe fotografinë e të akuzuarit Vladimir Toliq i cili ishte plagosur në vendin e ngjarjes i cili edhe ishte arrestuar aty.
Ndërsa, sa i takon të pandehurit, Dushan Maksimoviq, prokurori i specializuar tha se bazuar në prova që kanë siguruar ai kishte ndihmuar në mënyrë aktive grupin terrorist.
Në fjalën e tij hyrëse, Arianit Koci, avokati i familjes së rreshterit që mbeti i vrarë në sulmin terrorist në Banjskë, Afrim Bunjaku, në fjalën hyrëse kërkoi burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit dhe gjykim në mungesë për të akuzuarit tjerë qç ndodhen në arrati.
Burgim të përjetshëm për të akuzuarit kërkoi edhe avokati i policit Alban Rashiti, Naim Rudari.
I akuzuari për sulmin në Banjskë, Blagoje Spasojeviq, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura kundër tij, duke thënë se “askënd nuk e ka sulmuar”.
Kritika për aktakuzën pati mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Lubomir Pantoviq.
Edhe dy të akuzuarit e tjerë për sulmin terrorist, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre.Edhe sot qysh në nisje të shqyrtimit gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq u deklaruan të pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.
42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.
Seanca e radhës për rastin Banjska do të mbahet më 9 qershor, nga ora 09:30. /KosovaPress/