E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet autobusi i kompanisë shqiptare në Greqi

Athinë, 30 gusht - Një autobus me targa shqiptare është sulmuar mesnatën e së dielës në zonën e Mesologjit në Greqinë Qendrore. Sipas policisë greke, ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Qefalovrisi në afërsi të qytetit të Mesologjit. 
Mësohet se persona ende të panjohur, goditën me gurë dhe me tre bomba Molotov, autobusin që kryente linjën Athinë –Sarandë me targe SR 5892 B, prone e kompanisë 'Saranda Ekspres', që drejtohej prej Leonard Berberit nga Saranda, raporton Top Channel.
                                                                                                         
Si pasojë e sulmit, autobusit iu thye xhami i përparmë dhe dy xhama anësorë, si dhe u dëmtua prej zjarrit. Policia po heton lidhur me ngjarjen. Burime të saj thanë për Top Channel se ka mundësi që autobusi të jetë goditur nga tifozë të zemëruar, pasi në qytetin e Patres pasditen e së dielës  u zhvillua një ndeshje futbolli midis ekipit të Pan Ahaikise dhe Korfuzit,  e cila disa herë degjeneroi në akte dhune midis tifozëve të dy  ekipeve. Paralelisht po hetohet edhe pista e një sulmi racial.                                                      

Ky është rasti i dyte brenda pak muajsh që autobusë të linjave shqiptare bëhen objekt sulmi në të njëjtën zonë. Në muajin qershor, katër persona u plagosën prej një sulmi të armatosur, vetëm 20 kilometra larg vendit që ndodhi ngjarja e së dielës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›