E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet përsëri Shtëpia e Alfabetit në Manastir

Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir është sulmuar sërish. Vandalë të panjohur gjatë mbrëmjes së djeshme kanë qëlluar nga vetura në lëvizje drejt Muzeut, duke thyer xhamin e derës së hyrjes. Incidentin e konfirmoi edhe drejtori i Muzeut, Gazmend Hoxhaj,i cili tha se bëhet fjalë për dëme të vogla materiale. “Kjo ngjarje ndodhi të shtunën në mbrëmje. Është thyer vetëm xhami i derës së hyrjes nga një veturë afër muzeut...”, tha Hoxhaj për Alsat-M.

Kjo është hera e dytë që vandalizohet Shtëpia e Alfabetit në më pak se dy muaj. Sulmuesit e para dy muajve, si edhe ata të një nate më parë, vazhdojnë të shëtisin të lirë. Me gjithë këto dy sulme, nuk është bërë asgjë në shtimin e sigurisë dhe mbrojtjes të këtij muzeu. Ajo nuk është e siguruar as me kamera sigurie dhe pajisje alarmi. Madje, ky institucion i vetëm historik i shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka as edhe një rojë. Sipas drejtorit Hoxhaj, sigurimi fizik i Shtëpisë së Alfabetit do të mundësohet vetëm me buxhetin e vitit 2014, që do të thotë se edhe gjashtë muajt e ardhshëm ky muze do të mbetet i pambrojtur. Ndërkohë ka reaguar edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë. Kryetari i kësaj shoqate, Skender Asani dyshon se sulmet e tilla nuk janë të rastësishme, por të sinkronizuara mirë, për të ushtruar presion psikologjik ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

“Rezulton që shqiptarët e Maqedonisë të kenë vetëm një muze të etnokulturës, gjuhës dhe traditës së tyre. Për fat të keq, ai në mënyrë sistematike dhunohet, sulmohet, kurse ne në reagimet tona permanente kemi thënë se ky akt nuk është punë e individëve ose grupeve, por është një sulm që koordinohet prej një qendre dhe në momentet e duhura ai vazhdimisht sulmohet për t’iu dhënë mesazh shqiptarëve, jo vetëm të Maqedonisë por edhe të rajonit”, deklaroi ai.

Asani i bëri thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të mos rrinë duarkryq por të reagojnë në lidhje me këtë akt, ndërsa Qeverisë së Maqedonisë që të mbrojë muzeun. Shoqata e Historianëve do të kërkojë edhe nga UNESCO që të kujdeset për këtë muze. Ndryshe, pas demolimit të muzeut dy muaj më parë, sapo kishin përfunduar riparimet e tij, që u mbuluan nga qeveria maqedonase./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›