As këtë vit s’ka subvencionim të derivateve të naftës

As këtë vit nuk pritet të bëhet një zgjidhje për subvencionim të derivateve të naftës për nevoja të bujqve. Kjo u ka shkaktuar probleme të mëdha këtyre të fundit, pasi që naftën për makinat bujqësore detyrohen ta blejnë me çmim të njëjtë sikur ngasësit e veturave. Kombajnerit Skender Hyseni nga Shtimja i duhen 30 tonë naftë për të furnizuar të gjitha kombajnat me lëndë djegëse.Mirëpo, ky derivat është blerë me çmimin e njëjtë sikur që blihet nga shoferët e veturave. Skenderi thotë se këto çmime janë duke i sjellë probleme të mëdha për t’i përballuar shpenzimet që kërkojnë kombajnat e tij.
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë për KTV-në se së pari duhet të bëhet regjistrimi i makinerisë bujqësore dhe pastaj, në vitet në vijim do të shikohet mundësia që t’iu vendoset një pajisje për matjen e harxhimit të derivateve.
Sipas të dhënave të kësaj ministrie, brenda një viti llogaritet se bujqit harxhojnë rreth 20 milionë euro derivate të naftës./Indeksonline/