Superkupa në duart e Tiranës

Tirana ka fituar dje për të dytin vit radhazi Superkupën e Shqipërisë, pasi ka mposhtur me rezultatin 4-2 Besën e Kavajës. Bardheblutë e kanë nisur shumë keq ndeshjen, duke e mbyllur pjesën e parë në disavantazh 2-1. Besa ka luajtur më mirë në këtë fraksion, duke shënuar dy herë me anë të Hoxhës dhe Veliajt, ndërkohë që për ekipin e Starovës goli i vetëm u shënua nga Devi Muka. Rezultati ka shkaktuar edhe pakënaqësi tek ata tifozë të pranishëm në stadium, megjithatë gëzimi në krahun e kavajasve ka zgjatur vetëm pak. Tekniku Starova, duke patur në dispozicion dhe disa lojtarë luksi, hodhi në fushë një skuadër tërësisht të ndryshme në pjesën e dytë. Rezultatet u dukën shpejt, pasi bardheblutë u zgjuan, duke shënuar tre herë me anë të Nevil Dedes, Klodian Duros dhe Oriand Abazajt. Prania e trajnerit Baric natyrisht që i ka motivuar më shumë bardheblutë që janë pjesë edhe e ekipit kombëtar. Tirana ka qenë superiore në të gjitha drejtimet në këtë fraksion dhe në fund ka bërë të vetën trofeun e parë për këtë sezon në Shqipëri. Edhe pse luhej finalja e Superkupës, në stadium nuk pati shumë tifozë, ndoshta edhe për shkak se luhej në temperatura të larta. Pas humbjes në mesjavë në Kupën UEFA, kjo ishte disfata e dytë radhazi për kavajasit, ku në ditët e ardhshme nuk përjashtohet edhe marrja e masave nga presidenti Bizhdili.
Superkupa, Baric tallet me organizimin shqiptar
Oto Baric ka mbetur vërtetë i habitur dhe i zhgënjyer nga organizimi i finales së Superkupës, luajtur dje në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" mes Tiranës dhe Besës. I gjendur në tribunë për të parë nga afër disa nga lojtarët bardheblu që militojnë në radhët e ekipit kombëtar, tekniku kuqezi mbeti i shtangur kur në fund të takimit u nderuan vetëm futbollistët e ekipit fitues (Tirana), ndërkohë që humbësit (Besa) u larguan pa marrë asnjë medalje, madje nuk iu është dhënë as dora. Një detaj i tillë nuk i ka shpëtuar 75 vjecarit, që në fund ka qenë jo pak ironik me këtë lloj organizimi. "U habita vërtetë, skuadra humbëse nuk u nderua me asnjë medalje, madje nuk ishte askush t'i jepte as dorën", ka thënë ai. "Unë kam parë shumë ndeshje të kësaj natyre, por gjithnjë mbaj mend se nderohen të dyja skuadrat dhe ekipit humbës në fund të paktën i jepet dora. Ndoshta ju keni traditat tuaja, që janë të ndryshme nga ato europiane. Këto i dini vetëm ju, unë jo", është shprehur më tej kroati, duke lënë të kuptohet se ngjarje të tilla i shikon vetëm në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, Baric ka bërë edhe vlerësimin e lojtarëve të vecantë, teksa është shprehur se ka mbetur mjaft i kënaqur nga Hyka dhe Muka.
Gazetashqiptare