Superliga, Java 4, Tirana - BesaTrajneri i 24-herë kampioneve, kroati Ilija Lonçareviç: “Nuk na lejohen hapa fals dhe fitorja është i vetmi objektiv"

Publikoje ne:
Tirana përballë Besës (sot, ora 19:00) ka synim vetëm fitoren, që do t’i barazonte me pikë me kavajasit, nga 9, duke shpresuar edhe në një hap flas të kryesueses tjetër, Dinamo, me Vllazninë në Shkodër (ora 19:00). Në përballjen e fundit sezonale, e që i përket sezonit të kaluar (Tirana u shpall kampione), bardheblutë barazuan 1-1.
LONÇAREVIÇ – Trajneri i 24-herë kampioneve, kroati Ilija Lonçareviç, tha se do skuadra e tij do të luante kundër një ekipi që ka të njëjtat objektiva me bardheblutë. “Nuk na lejohen hapa fals dhe fitorja është i vetmi objektiv. Do të hedhim në fushë një skuadër me tipare ofensive”.
FORMACIONI – Tirana ka vuajtur nga dëmtimet në tri ndeshjet e para, ndërkohë që edhe portieri Nallbani është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen kundër Gramozit. Në vend të tij do të luajë maqedonasi Koronovski. Lonçareviç do të hedhë në fushë nga minuta e parë Julian Ahmataj në krahun e majtë të mbrojtjes, duke lënë në bankinë nigerianin Abraham. Si titullarë do ta nisin edhe Sabien Lilaj e Erando Karabeci, ndërkohë që në bankinë i gatshëm do të jetë Gjergji Muzaka. Mesfushori ka qenë i dëmtuar dhe ka gati dy muaj larg fushës.
ABILIALIAJ – Sulmuesi vlonjat Arbër Abilaliaj ishte pjesë e Besës sezonin e kaluar, por presidenti Bizhdili e përjashtoi atë, duke ia bërë “dhuratë” Tiranës. Gjatë këtij sezoni me bardheblutë, Abilaliaj ka shënuar dy gola, duke qenë njëherësh edhe realizuesi më i mirë i 24-herë kampionëve.
MANCAKU – Kapiteni i Besës, durrsaku Bledar Mancaku, ishte dhe autori i golit të vetëm në fitoren 1-0 të Besës kundër Laçit në javën e tretë. 27-vjeçari (në sezoni i tij i tretë me kavasit), nuk i trembet rekordmenëve shqiptarë: “Në fushë çdo gjë nis 0-0, por ne do të synojmë rezultat pozitiv, ndaj njërës prej skuadrave më të forta që ka futbolli shqiptar. Duam që nga kryeqyteti të dalim me fitore”.
XHAFAJ – Janë jo pak, por pesë lojtarë nga të dy skuadrat që kanë luajtur për fanellat e njëra-tjetrës: Andi Lila, Arbër Abilaliaj (aktualisht te Tirana, por më parë të Besa) dhe Daniel Xhafaj, Erbim Fagu e Endri Vrapi, tashmë pjesë e Besës. Xhafaj, golashënuesi i dytë më i mirë i Tiranës sezonin e kaluar (10 gola), ka shënuar dy gola këtë sezon me fanellën e Besës. Sulmuesi vlonjat e dëshiron një gol kundër ish-skuadrës, me të cilin luajti dy sezone.
STATISTIKA – Dy skuadrat janë ndeshur midis tyre 125 herë (për herë të parë në prill të vitit 1933), ku Tirana mban mbi “supe” 69 fitore, kundrejt 16 të Besës (40 barazime).
E Shtune, 19 Shtator 2009