E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga Skenderbeu fiton 1-0 ne Peqin

Skënderbeu fitoi 1-0 në fushën e Shkumbinit në ndeshjen e javës së 19-të të Superligës shqiptare të futbollit. Kampionët ia dolën të triumfonin me golin e shënuar mjaft shpejt nga Çaushaj, ish-lojtar i peqinasve, i cili nuk deshi të festonte pasi realizoi.
Megjithë luftën e fortë sportive në Peqin, gola të tjerë nuk pati dhe Skënderbeu u shkëput sërish në 11 pikë diferencë me Teutën e vendit të dytë.
Sa për Shkumbinin, humbja ia rrezikon shumë qendrimin në Superligë pasi tashmë ndodhet në vendin e 12-të me 16 pikë, 7 pikë më pak sesa Besa e vendit të 10-të, pozicion që të garanton mbijetesën.
Në ndeshjet e tjera, Kukësi arriti një fitore të thellë 5-2 në fushën e Tomorit, Laçi fitoi në shtëpi 2-1 ndaj Vllaznisë, Besa mundi 2-0 Luftëtarin në stadiumin pa tifozë në Kavajë, ndërsa Bylis triumfoi thellë në Ballsh, 3-0 në derbin ndaj Apolonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›