E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, konfirmohet Dinamo dhe Besa

Java e dytë e superligës ka konfirmuar dy skuadra, Dinamo dhe Besa, që tashmë tregojnë se janë në gjendje të fitojnë edhe në transfertë, madje në fusha tepër të vështira.

Kështu, Dinamo ka shpartalluar Flamurtarin në Vlorë, 3-0, ndërsa Besa ka mundur Shkumbinin në Peqin 2-1, duke çuar në dorëheqjen e trajnerit Magani. Në këtë mënyrë, këto dy skuadra, jo vetëm janë në krye të renditjes me pikë të plota, me nga dy fitore secila, por kanë zhvilluar lojërat më bindëse dhe kanë arritur rezultatet më pretenduese të mundshme.

Java e dytë ka nxjerrë në pah sërish Tiranën kampione në pikë të hallit, e cila mezi ka arritur të fitojë brenda në “Qemal Stafa” ndaj Skënderbeut debutues në superligë, me anë të një penalltie të dhënë në favor të saj në minutën e 90-të të ndeshjes, e kthyer në gola nga portieri Nallbani.

Rigjen fitoren Teuta e Durrësit, në shtëpi, duke mundur 2-1 Kastriotin e Krujës, që nuk e njeh akoma pikën në këtë kampionat, ndërkohë që Gramozi surprizon Lacin, në fushën e këtij të fundit, teksa barazon 1-1.

Ndeshja e fundit, që nisi në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, dhuroi një “hapyy end” për kuqeblutë dhe një hidhërim të madh për fierakët, pikërisht në minutën e dytë shtesë. Nëse deri në minutën e 92-të, fierakët kishin arritur t’i rezistonin Vllaznisë vendase, duke e ruajtur të paprekur rrjetën e tyre, ka mjaftuar minuta e fundit shtesë, ajo e 93-ta në total, që të vulosë fitoren e Vllaznisë. Goli i Ilir Nallbanit ka ngritur peshë tifozët e shumtë kuqeblu, ndërsa ka ngrirë buzëqeshjen e miqve nga Fieri. Tri pikët e para për shkodranët, të cilët i kanë rrëmbyer me shumë sakrifica fitoren Apolonisë, që nga ana e saj demonstron edhe në javën e dytë pretendimet e saj në këtë kampionat.

Për të parë rezultatet dhe renditjen e përgjithshme, mund të klikoni tek logoja në faqen e parë të gazetës.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›