E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dubai Maradona sherr me tifozet

Diego Armando Maradona vazhdon të përfshihet në episode të diskutueshme në Dubai. Ish-ylli i përfaqësueses argjentinase është mbajtur nga forcat e sigurisë në stadium, gjatë ndeshjes së kampionatit arab, ku Al Uasl u mposht me rezultatin 2-0 nga Al Shabab. 

“Pibe de Oro” ofendoi tifozët kundërshtarë, ndërsa reagimi ka ardhur pas kërcënimeve dhe fyerjeve të vazhdueshme të tifozëve kundërshtarë ndaj bashkëshorteve dhe të fejuarave të lojtarëve të tij, mes të cilave qëndronte edhe partnerja e trajnerit Veronika Ojeda. Duke iu drejtuar fansave të Al Shababit, 51-vjeçari bërtiti “frikacakë, merreni me femrat” dhe nxiti fërshëllimat në tribuna. 

Pas kësaj ngjarje, partneret e lojtarëve të Al Uasl dhe ajo e Maradonës, u shoqëruan nga policia jashtë stadiumit. Mediat locale njoftuan se nga tensioni i krijuar nuk pati asnjë të lënduar, ndërsa situata u cilësua e përmbajtur. 

Tensioni në tribuna erdhi pasi sulmuesi brazilian i Al Shababit, Ciel, u ofendua nga stafi i Maradonës. Ky ishte katalizatori që nxiti edhe reagimin verbal të tifozëve, që nuk kursyen askënd nga kampi kundërshtar. 

Prej momentit kur ka firmosur kontratë 2-vjeçare me Al Uasl, Diego Maradona është bërë protagonist në disa episode. Ai është zënë me kundërshtarët, ka goditur pa dashje një tifoz me shkelm dhe ka parë portierin e tij të skualifikohet për 17 ndeshje, pasi goditi me shuplakë një trajner kundërshtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›