"Supermashtruesi" Aliu pranon gjysmën e rasteve
Prokuroria i komunikoi mbylljen e hetimeve Indrit Aliut, të akuzuar si ndërmjetës i rremë në tendera dhe vepra publike
Gjatë komunikimit të akuzës, Aliu pretendoi se në gjashtë raste për të cilat ai dyshohet, firma e tij është flasifikuar
TIRANË- Njësia e Task-Forcës në prokurorinë e kryeqytetit, një muaj pas ekstradimit të "super mashtruesit" Indrit Aliu, i komunikoi atij akuzat zyrtare dhe njëkohësisht e mori në pyetje me cilësinë e të pandehurit. Gjatë pyetjes së tij nga prokurori i çështjes ai pranoi se ka mashtruar vetëm 5 kompani/persona, 6 rastet e tjera i mohon duke pretenduar se i kanë përdorur firmën e falsifikuar.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës, të cilët saktësuan se brenda pak ditëve, dosja penale në ngarkim të Aliut do të dorëzohet në gjykatë për shqyrtimin e çështjes. Mësohet se prokurori i çështjes, Julian Xhengo, një muaj më parë kishte përfunduar hetimin, por kur po përgatitej dërgimi i çështjes në gjyq, autoritetet greke e ekstraduan Aliun në Shqipëri. Nga ky moment prokuroria shtyu afatet e hetimit edhe për një muaj, me qëllim pyetjen e të akuzuarit.
Ai dyshohet se ka mashtruar në 11 raste, duke luajtur rolin e ndërmjetësit në tendera rrugësh, ndërtime shkollash e veprash publike, ndërsa ka përvetësuar automjete dhe kompjuterë nga kompanitë private, duke nënshkruar kontrata fiktive për blerjen e shërbimeve.
Sipas burimeve të hetimit, i pyetur si person nën hetim, e më pas me cilësinë e të pandehurit pas komunikimit të akuzave zyrtare të "mashtrimit" dhe "skemat mashtruese piramidale", ka pranuar se ka mashtruar në së paku pesë raste.
"Pranoj se kam përfituar në 5 raste nga persona dhe kompani të ndryshme shuma parash, të cilat do t'ua kthej. Në 6 rastet e tjera të pretenduara nga prokuroria unë nuk kam gisht, pasi aty më është falsifikuar firma ime dhe me anë të kësaj firme kanë përfituar persona të ndryshëm, të cilët prokuroria duhet t'i hetojë",-mësohet të ketë thënë Aliu para hetuesve, të cilët akuzojnë "super mashtruesin" për 11 raste në forma të ndryshme.
Pas marrjes në pyetje dhe firmosjes së procesverbalit përkatës, prokuroria ka vënë re se Aliu kishte ndryshuar firmën, e cila nuk ngjante me atë të gjetur në dokumentet e ndryshme ku vetë i pandehuri dyshohet se ka firmosur. Në lidhje me kete fakt, burime të akuzës thanë se do të kërkohet kryerja e një ekspertimi krahasues të firmës së Aliut, në fazën e hetimit gjyqësor. Kjo pasi pritet që shumë shpejt dosja të dërgohet për gjykimin.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Aliu akuzohet se ka mashtruar në 11 raste duke përfituar një shumë prej rreth 4 milionë euro nga biznesmenë e persona të ndryshëm. Mësohet se ndaj "super mashtruesit" është depozituar kallëzimi i parë penal më 13 mars 2009 në prokurorinë e kryeqytetit, ndërsa ai vetë është larguar nga territori shqiptar më 16 mars 2009 duke kaluar në Maqedoni nga pika e kufirit të "Qafë Thanës".
Nga Maqedonia, rezulton se ai ka kaluar në Greqi ku edhe është arrestuar në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet mbi bazën e kërkesës së njësisë së Task-Forcës së prokurorisë së Tiranës.
Sipas akuzës, i pandehuri Aliu ka përdorur të njëjtën skemë mashtrimi, duke u hequr si administrator i një kompanie të madhe ndërtimi, duke marrë kështu punë nënkontraktuale për ndërtimin e rrugëve të ndryshme.
Hetimi
Aliu i dyshuar për mashtrim të enteve shtetërore
"Nga hetimet disa mujore është arritur në përfundim se i pandehuri Indrit Aliu ka hartuar kontrata me shoqëri të ndryshme sipërmarrëse për kryerjen e punimeve të ndryshme ndërtimore, duke marrë pagesa nga këto shoqëri në formën e sigurimit të kontratës dhe duke mos i likuiduar ato më pas për punimet e kryera.
Veprimet e kryera nëpërmjet gënjeshtrës në formën e mësipërme ndaj shtetasve kallëzues, janë kryer nga Indrit Aliu me qëllim të përfitimit material, por edhe nga fakti se ky shtetas, pasi ka marrë shumat e parave, është larguar duke mos i kthyer më.
Fillimisht ndaj Aliut ka dorëzuar kallëzimin e parë një firmë ndërtimi, e cila e kishte fituar tenderin për kryerjen e rikonstruksionit dhe rehabilitimit të rrugës Sinanaj-diga e HEC Kalivaç, Komuna Lopes, Qarku Gjirokastër, me vlerë të kontratës 7 milionë euro.
Nga kjo firmë Aliu ka përfituar rreth 500 mijë euro, të cilat i ka marrë me anë të mashtrimit dhe presionit se, nëse nuk paguanin, do të prishte kontratën. Gjithashtu, i pandehuri ka marrë një makinë nga kompanitë tregtare që operojnë në vend të cilën nuk e ka paguar dhe as kthyer, por mendohet se e ka shitur e më pas është zhdukur.
Është zbardhur edhe kallëzimi i një administratori të një kompanie, i cili kishte kontraktuar kompaninë e Aliut për të kryer punimet e rrugës së fshatit Dishnicë me vlerë 70 milionë lekë, të komunës Bulgarec Korçë.
Më pas, po me anë të këtij administratori, vlonjati Aliu ka nënshkruar kontrata për rikonstruksionin e Bashkisë së Librazhdit, si dhe për tre rrugë të tjera në Librazhd dhe komunën për rreth saj që kapnin shifrën e 1 milion eurove. Në ditët në vazhdim, po ky administrator i ka ofruar të pandehurit Aliu një tender tjetër për ndërtimin e rrugës në komunën Lopes në Tepelenë, me vlerë 7 milionë euro.
Nga hetimet janë zbardhur edhe katër kallëzime të tjera, për të njëjtën skemë mashtrimi, ku vlonjati ka marrë si parapagim sigurimin e kontratës në 3 për qind të vlerës dhe në disa raste deri në 30 për qind të të gjithë vlerës së tenderit"-thuhet në dosjen e gjatë hetimore që brenda pak ditëve do të përfundojë në duart e Gjykatës së Shkallës së Parë.