Të rinjtë nën tutelë

Festivalit Teatror i të Rinjve i reduktohen fondet dhe i imponohet tematika krijuese.
Ministria e Kulturës pa filluar akoma edicioni i pestë i festivalit injekton politikat e ditës që vetëm frenuese mund të jenë për të rinjtë
Teatri Kombëtar shpall hapjen e edicionit të pestë të Festivali Teatror të të Rinjve.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, financuesi në vite i këtij projekti, ka shkurtuar buxhetin, e cila zbret në shifrën më të ulët, 3.935.000 lekë, duke reduktuar në katër numrin e projekteve që mendohet të dalin nga konkurrimi. Askush nuk shpjegoi psenë e kësaj katandisje.
Po të llogaritim si shpjegim atë që dha dje drejtori i përgjithshëm i Politikave të Artit në MTKRS, Nikolla Lena, ai do të ishte: "Ky është buxheti, këto janë paratë, kjo është gjendja ekonomike."
Kur bëhet fjalë për të rinjtë, organizatorët i përdorin pa problem fjalët "liri", "mbështetje", "promovim", edhe atëherë kur hesapet dalin kundër.
Kriteret e konkursit mbeten po ato. Pjesëmarrësit i kërkohen cilësi minimale, diploma e studimeve në fushën përkatëse, të jetë ketë pasur angazhime dhe të ketë treguar disiplinë në aktivitetet e Teatrit Kombëtar, të jetë nën 35 vjeç, të demonstrojë aftësitë e veta para Komisionit të Vlerësimit gjatë audicioneve që do të zhvillohen në TK, dhe ç'është më e rëndësishmja, dosja me idetë për projektin teatral që do shqyrtohet nga ky komision.
Përgjegjësja e sektorit të artit në MTKRS, Herida Duro, nga fundi i takimit u shpreh se do të shihen me prioritet ato platforma regjisoriale që kanë në qendër figurën e Nënë Terezën, meqë edhe qeveria e ka shpallur 2010-ën "Viti i Nënë Terezës".
Në axhendën e Ministrisë së Kulturës janë planifikuar tri muaj aktivitete, nga gushti deri në tetor vetëm për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës: ekspozita, botime, dokumentarë, panaire, koncerte, maratona.
Në tetor, është planifikuar edhe një shfaqje e Teatrit Kombëtar për këtë rast.
Atëherë përse të rinjtë duhet të detyrohen të vënë në skenë një shfaqje, të kufizuar nga tematika, në të vetmin aktivitet ku ata ballafaqojnë individualitetet krijuese, aftësitë dhe shijet personale, zgjedhjet që i përpunojnë në një proces sa vetjak aq edhe kolektiv me bashkëmoshatarë të tyre? Përse artisti i ri nuk duhet të prezantohet me atë që ai zgjedh dhe di ta bëjë më mirë?
Edhe nëse kjo do të ishte një nga kriteret që juria do ta shihte me prioritet, këtë gjë Ministria e Kulturës le ta shpallë me zë të lartë, jo nën zë.
Ministria e Kulturës që duhet të mbështesë iniciativën e lirë, por tregohet se bën më mirë rolin e tutores, duke i futur projektet e rinjve në kuadratin e ngushtë të politikave të qeverisë.
Specialistja e ministrisë tha se veprat për Nënë Terezën do të hyjnë patjetër.
Konkursi nuk është bërë akoma, nuk dihet cilat do të jenë prurjet, kurse zonjusha e ministrisë si dikur sekretaret e partisë shprehin bindjen tek forcat e reja dhe besimin që ata tek udhëheqja. Ministria po i ndihmon, kështu që ata s'kanë për ta zhgënjyer atë që iu shtrin dorën!
Organizatorët, përfaqësuesit e ministrisë që këtë vit janë të tjerë nga vitet paraardhëse, hamendësuan për një interes të jashtëzakonshëm ndaj festivalit, pa u shpallur akoma hapja e tij, apo për rezultatet që japin jashtë vendit artistët që dalin nga ky festival. E si për të ilustruar këtë demagogji ishin ftuar në takim fituesja e vitit të kaluar Alma Hoti dhe regjisori fitues i dy viteve më parë, Erion Hinaj.
Të dy të pranishmit, folën për përvojën në Saint-Etienne të Francës, ku kishin shfaqur "La Petite pièce en haut de l'escalier", të Carole Fréchette. Ajo çka kishte kuptuar regjisorja Hoti nga kjo përvojë jashtë Shqipërie ishte që "interpretimi i aktorëve, zë një përqindje të madhe të suksesit të shfaqjes".
Konkursi për Festivalin Teatror të të Rinjve konsiderohet i hapur nga sot deri në muajin shtator. Juria e përbërë nga Rajmonda Bulku, Mimoza Sofroni dhe Adonis Filipi, do të vendosë për katër projektet më të mira. Tjetër juri është ajo që do të vendosë në fund të festivalit për 8 çmimet që jepen në kategoritë e regjisë, aktrimit, skenografisë më të mirë, spektaklit etj.
Njoftimi i hapjes dhe mbylljes e festivalit të të rinjve tashmë duket si një barrë e institucioneve që e kanë marrë përsipër ta organizojnë, pasi shfaqjet dhe artistët kryejnë një cikël të mbyllur të kushtëzuar nga mundësitë e kufizuara që u krijojnë dy institucionet kryesore. Ata japin shfaqje në një javë dhe aty spektakli merr fund.
Pas kësaj këta të rinj nuk i sheh më njeri në skenë. Ka edhe nga ata, që nxjerrin kokën diku. Siç ndodhi me fituesen e vitit të kaluar, që para pak kohësh u prezantua në Akademinë e Arteve me një shfaqje sa për të thënë, "Jerma" e Lorkës, e mbështetur nga një ambasadë që bën politikat e tjetër vendi.