E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja për Çamërinë, nis me tubime për të përfunduar në gjykatën e Hagës

Reportazh/ Në Kollgjer ku mijëra njerëz vijnë për të parë Çamërinë nga Qafë Bota.

Një tra qe ngrihet dhe ulet me dorë nga polici i turnit e ca më tutje flamurë grekë që mezi sa duket kur fillon e zbret poshtë Qafës së Botës, është kufiri që ka ndarë në mes prej 66 vitesh çamët. Këtej kanë mbetur njerëzit, andej ka mbetur toka.


Këtej janë të gjallët, andej të vrarët, prej Napoleon Zervëz e ushtrisë së tij. Janë pasardhësit e tyre që çdo fund qershori mblidhen aty për të vajtuar të rënët, por dhe për të treguar që janë ende gjallë e nuk kanë harruar që në anën tjetër është Arpica, Rrapoza, Filati dhe e tërë Çamëria.


Kjo ndodh vit pas viti në Qafë Botë të Konispolit, ku mijëra çamë vijnë për t'u përshëndetur me gjysmën tjetër, për të marrë një dorë dhe, një gur, e për të thërritur fort se "E duam Çamërinë". E përkarshi tyre kodrinat përreth, dikur të tyre, janë mbushur me ushtarë grekë të ardhur enkas për 27 qershorin edhe pse e dine mirë që askush nuk ka ndërmend t'i sulmojë me armë.


Varreza masive


Një pllakatë e bardhë mermeri, një gardh me tela që ka rrethuar një sipërfaqe të konsiderueshme toke në Kllogjer të komunës së Xarës. Ky është varri i përbashkët i çamëve. Askund nuk ka një gur varri ndaj dhe askush nuk di me saktësi se ku është varrosur i ati, nëna, i vëllai apo edhe foshnjat e nxjerra nga barku i grave në atë masakër të ndodhur 66 vjet më parë. Ajo që di çdo pasardhës i këtij komuniteti është se në Kllogjer vendasit u lanë një copë tokë për të varrosur të parët e tyre, jo pak por 2700 njerëz, shumica e të cilëve vdiqën prej urisë.


Ndaj vijnë çdo vit për të nderuar të rënët e ku më të moshuarit, nis e rrëfejnë historitë se si mundën të mbeteshin gjallë. Çdo njëri prej tyre e di mirë që mund të ishin mbuluar në atë varr të madh. Këtë të thotë Haxhire Sula, babai i së cilës ka mbetur i vrarë në fushë Delvinë, por është varrosur në këtë copë tokë.


Haxhirja ka qenë vetëm tre vjçe por dhe sot mban mënd atë eksod të tmerrshëm të 20 mijë çamëve myslimanë që nën kërcënimin e armëve, përdhunimit dhe masakrave u detyruar të linin trojet e tyre në anën tjetër të kufirit që sot i ndan ai tra dhe ato flamuj që valëviten në Qafë- Botë.


Historitë e çdo të mbijetuari ngjajnë si dy pika uji. Po aq e tmerrshme është dhe historia e Sheri Isait, sot rreth të 80-tave, e që mbahet mirë, por sapo dora i cek atë pllakë guri, barra e dhimbjes rëndon trupin e tij. Ndaj vijnë të gjithë këtu çdo 27 qershor, jo vetëm për të nderuar të rënët por dhe për të treguar që nuk kanë harruar që në anën tjetër të traut janë trojet e tyre. Ky është amaneti i të mbijetuarve çamë.


Çamët e përçarë


Edhe përbetimi i priftit At Nikollë nuk mundi të bashkonte çamët në nderimin e të rënëve të tyre 66 vjet më parë. Prifti i Elbasanit deklaroi se po të qe nevoja edhe veladonin do të hiqte në mbrojtje të kauzës çame.

Por ceremonia festive e organizuar në Qafë-Botë duket se ka qenë sebepi që çamët të përkujtonin tragjedinë e tyre të ndarë. Partia për Drejtësi dhe Unitet nën drejtimin e Shpëtim Idrizit i nisi kremtimet më 27 qershor. U ftuan mijëra çamë e u këndua me zemër për Çamërinë për orë të tëra.


Ndërsa të nesërmen po në varrezat e Kollgerit marshuan çamët që udhëhiqen nga Tahir Muhedini, PDI-së. Janë bërë negociata por bashkimi i çamëve në kauzën e tyre duket se ka qenë e pamundur, të paktën në ditën e tyre të tragjedisë. Por kjo nuk ka penguar aspak hartimin e një strategjie të çështjes çamë.


Studio angleze do padisë Greqinë


Një studio ligjore në Londër ka marrë përsipër që të ndjekur procedurat ligjore për të paditur shtetin grek në Gjykatën e Hagës. Beteja ka nisur por si çdo luftë që ka nevojë për kronikanin e saj, dhe ajo çame, më shumë se sa kurrë ka nevojë për një penë që jo vetëm të tregojë dhimbjen por edhe të trumbetohet gjatë nëpër mediat ndërkombëtare.


Dhe Noel Malcom duket se është i përzgjedhuri për të na rrëfyer tragjedinë çame. Këtë tragjedi që nis e përfundon në Qafë Botës, ku dhe sot e kësaj dite çamet janë të ndarë çamët për gjysmë.

Kërkesat e çamëve


-Pranimin publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij
genocidi dhe kërkimin e faljes publike.

-Dëmshpërblimin për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi.


-Mundësi për anëtarët e Komunitetit çam për të vizituar tokat dhe varret
e të parëve.
-Ngritja e lapidarëve apo monumenteve që nderojnë të
vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqjen e memorialëve të atyre
që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame.


-Restaurimin e së drejtës së pronësisë.


-Amendimin e ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë
ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Këto nene bien në
kundërshtim me Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut të OKB
dhe Konventën Europiane të të drejtave të njeriut, që ndalojnë çdo lloj
diskriminimi mbi bazën e kombësisë;
-Realizimin e të drejtës së rikthimit në tokat e tyre duke rifituar
statusin e para Luftës së Dytë Botërore.


-Ndalimin e diskriminimit të vëllezërve çamë ortodoksë, që jetojnë në
trojet e tyre në Greqi dhe dhënien e të gjithë të drejtave si për çdo
minoritet tjetër në përputhje me Konventën Ndërkombëtare për Minoritetet.

Historia e të mbijetuarit nga gjenocidi grek që rikthehet pas 50-të vjetësh në banesën e tij, por nuk lejohet nga pronarët e rinj


Sheri Isai: Kur u ktheva në Apricë nuk më lanë të prek as gurët e themelit


Të prekte gurët e themelit të shtëpisë ku i ka rënë koka ka qenë për vite e vite të tëra endrra e mundimshme e Sheri Isait. E për të prekur këto gurë ka qenë gati të bënte edhe sakrificën më të madhe siç mund të jetë kërcënimi nga vdekja.


Por dëshira për të barë shtëpinë e të parëve të tij në Apricë të Çamërisë ka detyruar Sheri Isain që sapo të hapen kufijtë të marrë rrugëtimin për nga Qafë Bota. I rikthehej në këmbë asaj rruge por tashmë burrë me thinja dhe jo fëmijë që duhet të mbahej pas leckave të së ëmës për t'i shpëtuar vdekjes.


"Sigurova një pasaportë, jo me emrin tim, dhe shkova në shtëpinë që kisha lindur. Ishte ashtu siç e kishim lënë ne por e zonja greke që ishte vendosur në shtëpinë tonë nuk më la të prekja as gurët"- rrëfen Sheri Isaj. Është përlotur aty e më pas ka marrë arratinë që të mos përfundonte në duart e policë greke. Prej fillimit të vitit 90-të nuk ka guxuar të shkelë më këmbë në Aricë, aty ku janë eshtrat e të parëve të tij.


Ndaj dhe Sheri Isai vjen në këtë anë të Qafë Botës jo vetëm për t'ú çmallur me trojet e tij por dhe për të rrëfyer një nga tragjeditë më të rënda që i është bërë popullsisë çame. "I mbaj mend edhe këto gurë më kujtohen, gjithçka ka mbetur njëlloj si atëherë. Rrugës hanim çfarë të gjenim.


Ka qenë shumë e vështirë, shumë vdiqën urie. Nëna ime ishte nisur në drejtim të Shqipërisë me pesë fëmijët e saj. Një motër, 6 muajsh na ka vdekur rrugës ngaqë nuk kishte gji për të dhënë. Babanë e kanë vrarë ushtarët grekë në Korfuz, po kështu dhe xhaxhanë dhe djalin e hallës. Për ne shpresa e vetme për të mbetur gjallë ishte braktisja e shtëpisë dhe marshimi drejtë Shqipërisë "- thotë ai.


E ndërsa burri që ka kapërcyer të 70-ta rrëfen historinë e tij, duket se tmerri i përjetuar nuk i shkakton asnjë emocion. Por kur flet për Apricin, për greken që e përzuri dhunshëm nga shtëpia, zëri i meket, duart i dridhen dhe ai burrë që mbahej mirë në këmbë i priten gjunjët.


Ulet në atë copëz pllake, e nis e betohet në emër të shpirtrave të vdekur që nuk është e largët dita që do të vihet në vend amaneti i tyre. Një varr në tokën çame dhe një mbishkrim ky rrëfehet se si lindi dhe vdiq një shqiptar nga Çamëria


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›