E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supermodelja Xheni: Pagesat e modeleve në Shqipëri janë qesharake

SHKRUAN: Ilda Lumani 22-08-2011 10:22

Kur Xheni mendoi se modelimi nuk ia vlente më për të në Shqipëri, u çel një portë e re. Ndoshta edhe më e bukur. E me shpresën të jetë edhe më jetëgjatë! Xheni Koçi, fituesja e “Super Model of the World – Shqipëri 2007” dhe përfaqësuesja shqiptare në edicionin e madh të mbajtur në New York, një vit më pas, prej pak kohësh i është shkëputur jetës së pasarelave. Sepse, sipas Xhenit, në momentin që pasioni i mbaroi, vuri re edhe më shumë pagesat qesharake që u bëheshin modeleve… Gradualisht u largua nga sfilatat. Dhe ja. Në programin “Zhou Shou” në televizionin T në Digitalb, ajo u shfaq si nja aktore me eksperiencë ndërsa luante rolin e një prezantueseje mendjelehtë. Një rol që do të çudiste këdo, nëse do t’u thoshim se Xheni ka studiuar për ekonomi. Megjithatë, talenti mbetet I tillë. Dhe përderisa Xheni e ka, do të duhet ta zhvillojë edhe më shumë në të ardhmen. Në këtë intervistë për gazetën “Mapo” Xheni plot zgjuarsi e humor tregon rreth rrugëtimit të saj artistik!

Xheni, kanë kaluar rreth 4 vjet qëkurse ju u shpallët “Super Model of the World – Shqipëri 2007”. Si e kujton sot atë emocion?

Ka qenë shumë emocionues për mua momenti kur u tha emri im, saqë nuk po u besoja dot veshëve. Dhe vetëm pasi e përsëritën për të dytën herë u binda që kisha fituar vërtet unë. Kjo është pjesa që kujtoj gjithmonë, natyrisht edhe provat apo aktivitetet ,vajzat, stafin etj. Mendoj se çastin kur më thanë që kisha fituar nuk do ta harroj kurrë.

Ky trofe ju dha mundësinë të konkurronit në New York në kompeticionin e madh të “Super Model of the World”. Eksperiencë e bukur, apo jo? ǒmund të na tregoni rreth saj?

Të them eksperiencë e bukur është pak, ajo ishte një eksperiencë magjike. Trofeu më dha mundësinë të takoja njerëz të rëndësishëm të fushës së modës, të vizitoja një nga vendet më të bukura të botës. Ka qenë një nga udhëtimet më të bukura që kam bërë në jetën time. Sot kur e kujtoj më duket si një ëndërr shumë e bukur. Ishte shumë më tepër nga çfarë kisha imagjinuar unë si adoleshente. Dhe mendoj se po të kem rastin që të shkoj sërish në NY, nuk e di a do të ndihesha përsëri aq e mrekulluar sa atëherë.

Më tej si ka vijuar karriera juaj si modele?

Pasi fitova konkursin bëra një sërë sfilatash këtu në Shqipëri me emrat më të njohur të botës Shqiptare të modës. Më pas erdhi data për të shkuar në NY, edhe atje, përveç konkursit kam bërë edhe një sërë shërbimesh fotografike për një stilist të njohur italian, “Jovanin”. Më pas u riktheva në shtëpi, ku vazhdova sfilatat si në Shqipëri edhe në Kosovë për rreth nja dy vite të tjera. Më pas nuk e di, por gradualisht fillova të shkëputem nga modelimi.

Kishte një arsye konkrete për këtë?

Po, tërheqja ka qenë shumë graduale. Unë në jetë kam pasur gjithmonë interesa të shumëfishta, dhe nuk kam qenë ndonjëherë e dhënë vetëm pas diçkaje. Kjo ka qenë një arsye, por edhe prej faktit se në Shqipëri nuk jam ndjerë e vlerësuar, pagesat kanë qenë të vogla dhe qesharake (nuk e di sot a ka ndryshuar, por s’e besoj). Për aq kohë sa e kam pasur pasion këto arsye nuk më kanë stepur aspak, por duke u rritur fillova të mendoj se nuk mjafton vetëm pasioni për të bërë diçka, por është e rëndësishme edhe të marrësh shpërblimin që meriton.

Për herë të parë keni provuar edhe ekranin si prezantuese në formatin “ZhouShou” në Digitalb. Kush u bë sebep i kësaj iniciative?

E kush tjetër përveç Zhakut (qesh). Jemi takuar rastësisht gati një vit më parë nga një miku ynë i përbashkët. Natyrisht që unë e njihja Zhakun, por ajo nuk më njihte dhe mendoj se që prej ditës kur më njohu mua jeta e saj ka ndryshuar krejtësisht (bëj shaka). Rastësia deshi që ne të mos takoheshim vetëm një herë. Duke ndenjur bashkë më shpesh zbuluam që kishim pak a shumë të njëjtat ide, ideale, mendime rreth botës dhe problemeve të saj, dhe aty Zhaku më bëri ofertën shumë joshëse për mua që të isha prezantuese e emisionit të saj. Pavarësisht se kisha shumë frikë dhe njëmijë dyshime nëse isha e aftë që ta bëja, pasi nuk e kisha provuar kurrë, pata shumë besim te Zhaku dhe e provova. Mund të them se jo vetëm që nuk jam zhgënjyer, por po pres me padurim për ndonjë bashkëpunim të ri.

Si e ndieni veten në këtë rol të ri?

“ZhouShou” është një emision ironik, por edhe shumë gazmor. Mua më ka pëlqyer tej mase dhe kam qeshur shumë. Jam kënaqur kaq shumë dhe më dukej absurde si ka mundësi që të më paguajnë që unë të kënaqem. Nuk mbaj mend një ditë që ne të mos kemi qeshur. Ka qenë një atmosferë e mrekullueshme. I gjithë stafi ka qenë shumë i mirë dhe i dashur me mua, dhe kjo më ka bërë që të mos ndihem në siklet, por të ndihesha rehat sikur kisha dalë me miqtë e mi. Rolin që më besoi Zhaku e kam shumë për zemër, dhe besoj se roli i prezantueses pak mendjelehtë, që duket sikur ka ardhur nga një botë plot me sheqerka dhe ëmbëlsira, më shkon (qesh). Dhe gjëja më e bukur që ka ky rol është se edhe kur ajo (Miss Vipi quhej personazhi) shumë rastësisht thoshte diçka për të qenë, asnjeri nuk e besonte apo e merrte seriozisht, dhe kështu aty bashkë me personazhet krijoheshin situata nga më absurdet dhe të pabesueshmet.

Pas këtij sezoni mësuat ta dëshironi më shumë televizionin?

Televizioni më ka pëlqyer gjithmonë. Mendoj se për këdo është fat të kesh mundësinë të punosh në televizion. Tani që emisioni ka mbaruar, ndiej se herë pas here më merr malli për ato ditë, dhe e kuptoj se çfarë mundësie e artë është televizioni.

Çfarë është ajo veçori që mendon se të bën ndryshe nga prezantueset që shohim nëpër televizione?

Ndoshta më bën ndryshe fakti që unë nuk jam prezantuese (qesh). Prezantimi është profesion më vete dhe nuk mund të marr përsipër luksin ta quaj veten prezantuese pas një prove të vetme. Mendoj se duhet shumë punë, dashuri dhe përvojë, si në çdo profesion tjetër. Unë aktualisht kam vetëm dëshirën e mirë, nëse do të kem edhe fat gjatë viteve që do të vinë, atëherë do ta shoh nëse kam diçka ndryshe apo jam si gjithë të tjerët. Sot nuk di t’ju përgjigjem.

Mendoni se tashmë karriera juaj do të fokusohet vetëm në ekran?

Kjo do ishte një gjë shumë e vështirë për t’u arritur.

Për një vajzë të re që ka mbaruar studimet për ekonomi dhe që synon televizionin, e ardhmja duket e lehtë apo e vështirë?

Unë të ardhmen e shoh si të jem me humor. Nëse jam me humor të keq, mendoj se jam njeriu më pafat dhe çdo gjë do më shkojë keq gjithmonë. Nëse jam me humor të mirë, mendoj se një ditë do fitoj çmimin “Nobel” dhe do bëhem milionere!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›