E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo nuk është penduar, mbron vetëm Real Madridin!

Murinjo nuk është penduar, përkundrazi. Eladio Parames, zëdhënësi i Zhoze Murinjos, përgënjeshtron ato që ishin publikuar një ditë më parë nga “Marca” rreth pendimit të trajnerit portugez për ato që ndodhën të mërkurën e shkuar. Sipas asaj që shkruan gazeta spanjolle, “Special One” kishte kuptuar se kishte gabuar deri në atë pikë sa ndjehej thellësisht i penduar për agresionin që i bëri zëvendësit të Guardiolas, Tito Vilanovas dhe për deklaratat e lëshuara në shtyp. Por sipas zëdhënësit të Mou, Parames, gjithçka është false. “Zhoze nuk kërkon falje. E di shumë mirë që po mbron Real Madridin dhe kjo nënkupton përballimin me çfarëdo lloj agresioni, qoftë edhe atë verbal”, thotë zëdhënësi i portugezit. Referimi bëhet me provokimet që kanë ardhur nga stoli katalanas nëpërmjet Guardiolas e mbi të gjitha Tito Vinalovas, që i është afruar stolit madrilen duke i quajtur ata si “një bandë klëyshash k…”. “Zhozes – vijon Parames – i intereson vetëm puna dhe të bëjë të mundur që klubi në të cilin punon të fitojë sa më shumë. Një portieri të Realit i kanë hedhur gjithçka në Pamplona më shumë se 20 vjet më parë dhe një lojtari i kanë hedhur një kokë derri kur trajner ishte Del Boske. Murinjo punon për klubin më të rëndësishëm në Europë, atë që ka më shumë tifozë, por që është edhe më i urryeri nga kundërshtarët. Dhe ai do ta mbrojë deri në vdekje.” Sipas një sondazhi të bërë mes tifozëve të Realit, Muo ka mbështetjen e 90% të tyre, ndonëse u përfshi në një zënkë aspak të këndëshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›