Supremja anulon vendimin për shkarkimin e Kelmendit si kryeprokuror i shtetit

PRISHTINË, 17 dhjetor/ATSH/ Gjykata Supreme ka anuluar sot vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokuror të shtetit, duke thënë se shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm.
Në një njoftim për media, gjykata tha se ia ka kthyer lëndën Këshillit për rishqyrtim dhe rivendosje.
“Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK nr. 1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.
Kelmendi u shkarkua muajin e kaluar pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar.
Ai i ka mohuar këto pretendime.
Shkarkimi i tij shkaktoi polemika për ligjshmërinë e vendimit, pasi ai u votua nga vetëm pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Pjesa tjetër e anëtarëve vlerësuan se s’kishte kuorum, dhe e quajtën vendimin “puç institucional”.
Kelmendi u ankua në Supreme pasi Gjykata Themelore nuk ia pranoi ankesën kundër shkarkimit.
Supremja gjeti të mërkurën se vendimi i Këshillit Prokurorial ishte “i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pabazë”.
“Është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar”, tha Supremja.
Sipas saj, vendimi i Këshillit Prokurorial u mor “në procedurë të pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim”.
Vendimi për shkarkimin e Kelmendit ishte kontestuar nga organizatat joqeveritare që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë, që kishin argumentuar se ai ishte një vendim i marrë në mungesë kuorumi në mbledhjen e KPK-së dhe se ishte një vendim “i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv”.Për vendimin kishte reaguar edhe faktori ndërkombëtar. Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje që të respektoheshin ligjet dhe të ndiqeshin procedurat e duhura ligjore, ndërkaq Zyra e Bashkimit Evropian vlerësoi se shkarkimi i Kelmendit pengon reformat e nevojshme në Këshillin Prokurorial dhe shpërfill parimet e ligjit dhe minon përparimin e shtetit drejt bllokut evropian.
Reçaku
Këshilli Prokurorial mori vendim për shkarkimin e Kelmendit një ditë pasi ai u paraqit në Prokurorinë Speciale të Kosovës si dëshmitar lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra e Reçakut.
Kelmendi në një konferencë për media të mbajtur më 19 nëntor i mohoi raportimet se kishte bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.
Atëbotë, Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar”.
Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë.
Kelmendi e pranoi se ishte paraqitur në Prokurori si dëshmitar. Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.Deklarimet e tij erdhën pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999.
Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.
Pretendimet e atëhershme të gjyqtares serbe, Marinkoviq për masakrën e Reçakut, janë në linjë të njëjtë edhe me narrativin e tanishëm që kanë autoritetet serbe për këtë ngjarje.
William Walker, që gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat.
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake-policore në ish-Jugosllavi, duke çuar në çlirimin e vendit dhe pavarësimin e tij vite më vonë. /REL//r.e/