E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza e merkatos Lacio kërkon Bogdanin nga Çezena

TIRANE-Erjon Bogdani është vënë në shënjestër të Lacios, që kërkon një sulmues të gjatë në këtë merkato dimri. Pas dështimit të tratativave me sulmuesin paraguajan Roke Santakruz dhe vështirësisë për Skulin, klubi i kryeqytetit italian është hedhur në sulm për të marrë shtatlartin e përfaqësueses shqiptare. Për të ka dhënë pëlqimin vetë trajneri Edi Reja, i cili kërkon një futbollist për të tërhequr skuadrën në momentet që ka vështirësi. Lajmi është bërë i ditur dje në thuajse të gjitha mediat italiane, ndërsa tashmë i takon drejtorit sportiv të Lacios, Igli Tares, që të çojë në fund tratativën. "Lacio po kërkon të marrë Skulin, por kjo çështje duket në një fazë stanjacioni, pasi bardhekaltërit e duan në huazim, ndërsa Xhenoa e jep vetëm në bashkëpronësi, - shkruan "calciomercato.com". - Në rast se kjo situatë nuk zhbllokohet, Lacio ka marrë parasysh dy alternativa të reja: Bogdani i Çezenës dhe Granoçe i Kievos". Sipas këtij uebsajti të specializuar, Bogdani është shumë i favorizuar për kalimin në klubin kryeqytetas, pasi ka të njëjtin menaxher si Skuli, djalin e Luçiano Moxhit, Alesandro Moxhi. Çështja mund të mbyllet në ditët e ardhshme, pasi tekniku Edi Reja i ka kërkuar klubit t'i gjejë një sulmues shtatlartë për pjesën e mbetur të sezonit. Lacio ndodhet në vend të tretë në Serinë A, me 34 pikë, 6 më pak se Milani.
Sezoni i Bogdanit
Transferimi i Erjon Bogdanit te Lacio gjithsesi nuk është aq i lehtë. Arsyeja lidhet me faktin se Çezena është një nga skuadrat më të rrezikuara për të rënë nga kategoria dhe sulmuesi kuqezi është një nga futbollistët kryesorë të këtij ekipi. Natyrisht, një kalim në radhët e klubit kryeqytetas do të shënonte kulmin e karrierës për Bogdanin, por do të jetë e vështirë që Çezena ta lëshojë. Një tjetër problem mbetet fakti se bardhekaltërit e kërkojnë në huazim. Pas eksperiencës aspak të mirë te Livorno, duket e vështirë që Bogdani të pranojë një tjetër huazim. Gjithçka lidhet me aspektin sportiv. Kur ishte te Livorno, i huazuar nga Kievo, sulmuesit kuqezi iu desh të qëndronte gjithë vitin në stol, duke iu lënë hapësirë futbollistëve të tjerë, të cilët klubi livornez synonte t'u rriste vlerën në merkato. Në sezon, Bogdani vuri jo pak në diskutim edhe pozicionin e tij në kombëtare, ndërsa vetë pësoi një rënie të madhe në formë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›